Lezhë, 1 Qershor 2010, NOA – Korrupsioni ka çuar në pranga një tjetër pushtetar lokal, kreun e komunës Kolsh, në Lezhë, Andi Marku.
Ka qenë skuadra e antikrimit ekonomik të Tiranës, dhe policia e qarkut të Lezhës që arrestuan 36 vjeçarin Andi Marku me akuzën për abuzim me detyrën.
Shkak për arrestimin u bë denoncimi që një një banor i kësaj kësaj komune i ka bërë kryekomunarit të Kolshit, Andi Marku, në Prokurorinë e Lezhës për korrupsion, pasi Marku, i kishte kërkuar 100 mijë lekë të reja në këmbim të dhënies së një trualli toke në fshatin Kolsh.
Sipas burimeve për agjencinë NOA, qytetari nuk e ka pranuar ofertën e kreut të komunës Andi Marku duke e denoncuar menjëherë atë në prokurori.
Duke e përdorur denoncuesin vetë si karrem, oficerët e seksionit të antikrimit ekonomik e kanë pajisur denoncuesin me shumën e parave të kërkuara për të kryer aksionin e arrestimit në flagrancë të kryetarit të komunës së Kolshit.
Sipas policisë së qarkut, qytetari i lartpërmendur është paraqitur rishtas pranë komunës dhe në momentin e dorëzimit të parave në dorë të kryekomunarit kanë ndërhyrë oficerët e krimit ekonomik, duke bërë dhe arrestimin e Andi Markut.
Andi Marku, që akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre kishte fituar zgjedhjet vendore në komunën Kolsh të Lezhës si kandidat i pavarur, por pak kohë pasi kishte fituar mandatin e kryekomunarit i ishte bashkuar Partisë Demokratike.
mit/NOA