English

Liberalizimi i vizave, Berisha: Kujdes trafikun e fëmijëve

Tiranë, 1 Qershor, NOA - Hapja e kufijve të Shqipërisë si pasojë e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian rrezikon seriozisht fëmijët nga trafikimi. Alarmi është dhënë nga vetë kryeministri Sali Berisha në ditën ndërkombëtare të fëmijëve. Berisha theksoi në fjalën e tij se duhet të tregohet kujdes në sigurinë e kufijve për të shmangur fenomenin e trafikut.

“Me heqjen e vizave, fëmijët kërcënohen nga trafikimi. Duhen marrë masa urgjente që siguria e kufijve të shmangë fenomene të tilla apo pseudobirësime”, u shpreh kryeministri në konferencën për objektivat e zbatimit të strategjisë kombëtare për fëmijët.

Por, fëmijët shfrytëzohen dhe brenda vendit të tyre. Berisha ka pranuar se ka ende fëmijë, që punojnë nën moshën e caktuar me ligj. Si çdo 1 qershor, ai ripërsëriti thirrjen për të ndaluar shfrytëzimin e punës së minorenëve.

Kryeministri tha se ky është një kapitull që duhet mbyllur për shoqërinë shqiptare, ndërsa kërkoi sanksione të rrepta për shfrytëzuesit e punës së fëmijëve.

Kryeministri Berisha nuk i kurseu kritikat edhe për Ministrinë e Shëndetësisë.

Sipas Berishës, Shqipëria ka numrin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në karahasim me vendet fqinje.

Ai i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë të gjejë shkaqet dhe të ndërhyjë sa më shpejt për afrimin e shifrave me standardet që kërkon BE.

b.a.mit/NOA

KOMENTE