Athinë, 1 Qershor 2010 NOA – Një djalë 12 vjeçar u shfaq në rrugët e qytetit Lehaina të Ilias në Greqi me zinxhir të lidhur në qafë dhe denoncoi në polici se ishte lidhur nga i ati, në shenjë ndëshkimi.
Bëhet fjalë për një familje emigrantësh shqiptarë në Greqi të cilët janë bërë protagonistë të një ngjarjeje të shëmtuar, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Babai 44 vjeçar, e ka lidhur djalin e tij 12 vjeçar me një zinxhir, në kaloriferin e dhomës së ndenjes në banesën e tyre në Lehaina.
Pas kësaj është larguar nga shtëpia për në punë. Sikundër ka treguar i vogli, ka qëndruar për disa orë në atë gjendje dhe më pas ka arritur të shkëputet nga kaloriferi por zinxhiri i ka mbetur i lidhur në qafë ndaj kur ka dalë nga shtëpia, ka kërkuar ndihmë.
Aty afër gjendej një servis makinash dhe punonjësit atje kanë arritur t’ia shkëpusin nga qafa zinxhirin e lidhur.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka arrestuar babain 44 vjeçar. Ai ka deklaruar se e kishte kryer këtë akt pasi i biri ishte shumë i gjallë dhe “nuk linte dy gurë bashkë”. Sipas 44 vjeçarit, qëllimi i tij ishte që të ishte i qetë kur të mungonte disa orë në shtëpi ndaj e kishte lidhur që të mos ikte nga shtëpia.
n.s/NOA