Lindje E Mesme - Flotilja - Vazhdon Ende Mbledhja E Këshillit Të Sigurimit, Arabët Kërkojnë Hetim
- Turqia kërkon dënim të fortë për Izraelin, SHBA nuk pranon -
NJU JORK, 1 qershor /ATSH-ANSA/ - Këshilli i Sigurimit të OKB-së, mbledhur prej 13 orësh për të diskutuar sulmin e djeshëm të forcave izraelite kundër një flote anijesh me ndihma që ishte drejtuar në Gaza, po tenton të gjejë një kompromis mbi një tekst që duhet të dënojë veprimet e shtetit hebre dhe hapjen, siç është kërkuar nga vendet arabe, të një hetimi ndërkombëtar.
Në versioni i fundit i dokumentit, që është arritur të merret nga ANSA, kërkohet nga fronti arab "nisja e një hetimi të pavarur, të besueshëm dhe transparent që duhet përfunduar brenda tre ditëve".
Dokumenti ndër të tjera kërkon edhe "lirimin e menjëhershëm të anijeve dhe civilëve që po mbahen në Izrael të cilëve duhet t'u garantohet edhe akses i plotë konsullor".
Dokumenti "thekson se situata në Gaza nuk është e pranueshme" dhe ngre sërish "shqetësimin e madh për situatën humanitare dhe nevojën për të garantuar një fluks të rregullt të furnizimeve me mjetet bazë të jetesës, siç është edhe shpërndarja e ndihmave humanitare"
Dokumenti thekson gjithashtu se "zgjidhja me dy shtete, me një shtet palestinez të pavarur që jeton pranë Izraelit në paqe dhe siguri, mund të sjellë paqen në rajon".
Sipas disa burimeve diplomatike, cituar nga mediat amerikane, mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka zgjatur më tepër nga çfarë ishte parashikuar për shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet Turqisë që ka përpiluar projektrezolutën dhe Shteteve të Bashkuara që nuk pranojnë të nënshkruajnë një dokument që e dënon fortë Izraelin.
/e.v/