English

Maturantët Te Kënaqur Me Testin E Gjuhë- Letërsisë

TIRANË, 1 Qershor/ATSH/.- Maturantë në qytetin e Tiranës, që iu nënshtruan të hënën provimit të detyrueshëm të Maturës Shtetërore për lëndën e gjuhë-letërsisë, pohuan se në ndryshim nga programi i ngarkuar mësimor në shkollën e mesme, testimi përmbante pyetje të qarta dhe të thjeshta. Të pyetur për ecurinë e zhvillimit të provimit të Maturës Shtetërore, maturantët u shprehën se koha prej 150 minutash në dispozicion për provimin, ishte e mjaftueshme për t'iu përgjigjur 25 pyetjeve të testit të parë të detyruar. "Në ambientet ku u organizua ky provim, përveç personave të autorizuar, nuk u lejua të hyjë asnjë individ tjetër, duke respektuar një nga elementët në dobi të korrektësisë së procesit në përputhje me rregulloren e Maturës Shtetërore 2008", tha Eni, nxënëse në shkollën e mesme "Ismail Qemali" në Tiranë, njëra nga 7 mijë maturantët e kryeqytetit. "Pyetjet ishin mjaft të lehta. Mesa kuptova aty ishin përfshirë pyetje të tre niveleve të vështirësisë, çka na ndihmoi", vlerësoi ajo, duke shpresuar që edhe testi i ardhshëm i matematikës të ishte i lehtë./e.gj/s.s./
KOMENTE