Dëshëroj edhe njëherë të falënderoj të gjithë ata që sot nuk janë të pranishëm fizikisht, por jam i sigurt që me ndjeshmërinë e tyre, me forcën e tyre, kanë bërë të mundur që të japin më shumë tolerancë për fëmijët, të japin më shumë edukacion për fëmijët, të japin më shumë motiv për sportivitet dhe të japin atë që ne e dëshirojmë të gjithë, që të gjithë fëmijët, pavarësisht problemeve, të tyre të ndjehen të barabartë në një shoqëri, e cila konsiderohet shoqëri demokratike!
Nga Prof. Dr. Bamir Topi*
Presidenti i Republikës
Është një moment vërtet shumë emocional, i cili përsëritet për të tretin vit në ambientet e Presidencës. Është emocional, sepse bëhet në funksion të një aktiviteti special, por është emocional, sepse shikoj një ndjeshmëri të shprehur të njerëzve që kanë dhënë kontribute të fuqishme në lëvizjen olimpike shqiptare, dhe padyshim ndihem i respektuar, i nderuar, që rrethohem nga figura të tilla, që nderohen jo vetëm në botën e sportit, por mbarë në shoqërinë shqiptare.
Lëvizja Olimpike Speciale shqiptare ka vlera të veçanta, sepse është një moment ku kombinohen jo vetëm dëshira e sportistit për të garuar. Por është speciale, sepse është e rrethuar me shumë përkushtim, me shumë vëmendje nga njerëzit që asistojnë njerëzit që janë në nevojë. Besoj që është momenti sot për ta thënë me zë të hapur, me zë të fortë që, përtej falenderimit për përkushtimin e këtyre njerëzve, të edukatorëve, të profesorëve, të mjeshtrave të sportit, të prindërve, për t’i dhënë mundësinë këtyre fëmijëve për të tejkaluar të gjitha handikapet fizike dhe për të qenë njëlloj si gjithë të tjerët, i drejtohem me një falënderim të veçantë të gjithë atyre kompanive, në mënyrë të veçantë në rastin konkret ‘Vodafone Albania’, që ka bërë të mundur që garat olimpikë specialë shqiptarë të vijnë dhe të evidentohen dhe të bëhen prezente në mbarë shoqërinë shqiptare.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, sot dëshiroj të jap një apel për të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, për të gjithë politikën, për të gjithë botën e biznesit, për mbarë shoqërinë shqiptare, për të rritur standardin e ndjeshmërisë, standardin e solidaritetit, sepse vërtet sot jeta është mjaft komplekse, pasqyron edhe të mirën por edhe negativen, duhet detyrimisht ata që janë të veshur me përgjegjësi, ata që përfaqësojnë politikën, ata që shkojnë një herë në katër vjet për të kërkuar votën e njerëzve, duhet detyrimisht të jenë më të motivuar, të jenë më të dashur, të jenë më të ndjeshëm, të jenë më shumë kontribues, sepse këta njerëz kanë nevojë patjetër të mbështeten, kanë nevojë të mbështeten. Këtë Lëvizje nuk e shikoj thjesht tek sportiviteti i këtyre atletëve, nuk e shikoj thjesht tek dëshira e prindërve, nuk e shikoj thjesht tek angazhimi i mjeshtrave të sportit, por kjo është një lëvizje, e cila ka në substancë një filozofi dhe një qëllim shumë të madh. Prandaj, dëshiroj edhe njëherë t’i falënderoj!
Kontributi im është institucional, është modest, por ju siguroj që bashkë me projeksionet institucionale, kam një ndjeshmëri të lartë njerëzore, për t’i dhënë jetë kësaj lëvizjeje, për ta zgjeruar këtë lëvizje, për t’i dhënë domain-in e vërtetë me të gjithë ato pasuri vlerash që duhet të ketë një shoqëri e lirë demokratike dhe humaniste. Kështu që unë dëshiroj t’ju uroj sukses në garat që do të zhvilloni këtu, por patjetër që ju uroj sukses edhe në Lëvizjen Speciale Olimpike që do të zhvillohet në Varshavë! Jam i bindur që, kjo lëvizje vit pas viti do të gjejë dimensione të reja, sepse këtë garanci e jepni juve, por këtë garanci e japin edhe të gjithë mjeshtrat e mëdhenj të sportit, që çdo vit e më shumë bëhen më tepër.
Dëshëroj edhe njëherë të falënderoj të gjithë ata që sot nuk janë të pranishëm fizikisht, por jam i sigurt që me ndjeshmërinë e tyre, me forcën e tyre, kanë bërë të mundur që të japin më shumë tolerancë për fëmijët, të japin më shumë edukacion për fëmijët, të japin më shumë motiv për sportivitet dhe të japin atë që ne e dëshirojmë të gjithë, që të gjithë fëmijët, pavarësisht problemeve, të tyre të ndjehen të barabartë në një shoqëri, e cila konsiderohet shoqëri demokratike! (*) Fjala e mbajtur sot te ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010
Foto: Topi gjatë ceremonisë