English

Nisin në Tiranë Lojrat Olimpike Speciale

Mbështetja, për të tretin vit vjen prej Fondacionit Vodafone Albania. Presidenti Topi apelon shoqërinë shqiptare për më shumë ndjeshmëri dhe solidaritet ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara

Foto të tjera, te Galeria

Tiranë, 1 Qershor 2010 NOA - Në praninë e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, u zhvillua sot ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010, të cilat për herë të tretë në historinë e tyre përshëndeten nga Kryetari i Shtetit. Me këtë rast në mjediset e Presidencës ishin të ftuar Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam, përfaqësues dhe drejtues të Fondacionit Vodafone Albania, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, të Olimpikut Special Shqiptar, Qendrës Sociale “Don Bosko”, personalitete të shquara të sportit shqiptar, trajnerë e sportistë në vite, mësues, edukatorë dhe prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, etj.

Pas ekzekutimit të himnit tonë kombëtar nga Banda e Ushtrisë, ceremonia u përshëndet nga sportisti i shquar Ismet Bellova dhe drejtues të kompanisë “Vodafone Albania”, e cila mbështet dhe organizon Lojërat Olimpike Speciale Shqiptare 2010.

Në përshëndetjen e tyre u shpreh mirënjohja për mikpritjen e ofruar nga Presidenti Topi, “i cili hapi zemrën dhe dyert për këtë veprimtari”. Folësit vlerësuan se “fisnikëria e tij, mesazhi i ngrohtë dhe i duhur janë të vlefshme në këtë mision, ashtu si dhe bekimi i Presidentit për Lojërat Olimpike”.

***

Lojërat Olimpike Speciale vijnë për të tretën herë në Shqipëri të mbështetura sërish nga Fondacioni Vodafone Albania. Lojërat Olimpike Speciale, këtë vit do të zhvillohen në datat 1, 2 dhe 3 qershor 2010 dhe në to do të marrin pjesë 250 atletë të ndarë në 14 skuadra nga 11 rrethe të vendit, të cilët do t’i bashkohen mbi 2.200.000 atletëve të tjerë që janë pjesë e kësaj iniciative olimpike globale.

Sot në ditën e parë të Lojërave Olimpike Speciale, Presidenti i Republikës Bamir Topi pasi përshëndetitë gjithë pjesëmarrësit shpalli fillimin e lojërave përmes ndezjes simbolike të Flakës Olimpike, e cila do të nisë rrugëtimin e saj prej Presidencës, për të vijuar përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Sheshit Skënderbej, Rrugës së Durrësit dhe në fund të “shtegtimit” të saj, Flaka Olimpike do të mbërrijë pranë Qendrës Sociale “Don Bosco” ku nisën garat.

Lojërat Olimpike Speciale këtë vit përfshijnë 6 disiplina sportive: basketboll, futboll, atletikë, ping-pong, bowling dhe not.

Pjesëmarrësit kanë mundësi të argëtohen me lojërat dhe programin festiv, në sajë të mbështetjes së një numri të madh vullnetarësh nga Korpusi i Paqes në Shqipëri (Peace Corps Albania), animatorëve socialë të Qendrës Sociale “Don Bosco”, pjesëmarrësve të programit të Vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, si dhe prej shumë vullnetarëve punonjës të shoqërisë “Vodafone Albania” Sh.A.

Qëllimi themelor i Lojërave Olimpike Speciale është thyerja e pengesave ndërmjet individëve me dhe pa aftësi speciale përmes integrimit të tyre në aktivitete të përbashkëta sportive.

Gjatë tre viteve të fundit Fondacioni Vodafone Albania ka punuar me kujdes të veçantë për personat me aftësi speciale, duke bashkëpunuar ngushtësisht me organizata dhe institucione të tjera si Olimpiku Special Shqiptar, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sociale “Don Bosco” si dhe me një rrjet të gjerë vullnetarësh, bashkëpunëtorësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile.

E veçanta e këtij viti për atletët me aftësi speciale është se në sajë të mbështetjes financiare të Fondacionit Vodafone Albania një delegacion i tyre do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Speciale Ndërkombëtare që do të zhvillohen në muajin shtator në Varshavë, Poloni.

Fondacioni Vodafone Albania thotë se i fton të gjithë të bashkohen dhe të mbështesin lëvizjen e Olimpikut Special Shqiptar nën moton “Sporti nuk njeh barriera. Bëhu edhe ti pjesëmarrës. Bashkë do të jemi më mirë e më shumë".

Më shumë mbi angazhimet e Fondacionit Vodafone Albania gjeni duke klikuar në spotin që gjendet në krye të NOA.

r.n/NOA

KOMENTE