English

Operacioni “My baby” zbulohen prova korrupsioni për mjekët Kasapi dhe Qosja

Tiranë, 1 Qershor 2010 NOA – Përgjegjës i grupit të mjekëve pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë dhe mjeku reanimator, zhyten në afera korruptive. Ata bënin lindje me operacione të detyruara dhe fusnin në xhep 500 mijë lekë nga çdo lehonë ose familjarë të tyre.

Lajmi konfirmohet nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i cili i tha agjencisë NOA se “në kuadër të operacionit policor të koduar “My baby”, i realizuar nga Specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim më Njësinë Taks Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u arrit të dokumentohet aktiviteti i dy mjekëve, pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë”.

Mjekët e dyshuar janë Janaq Kasapi, 54 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek kirurg dhe Përgjegjës i grupit të mjekëve pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë dhe Arti Qosja, 38 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek reaminator pranë maternitetit “Mbretëresha Gelardinë”, në Tiranë.

Në ngarkim të tyre Gjykata e Rrethit Tiranë, ka caktuar masën e sigurimit “Garanci pasurore”, për konsumim të veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 të Kodit Penal.

Pas një hetimi disa mujor të realizuar nga specialistët e seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u dokumentua tërësisht implikimi i tyre, ku për çdo lindje me operacion, dy mjekët dyshohet se merrnin shumën prej 500 000 lekësh.

Aktualisht, nga Specialistët e Seksionit Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vazhdon puna hetimore në drejtim të personave të tjerë të implikuar apo dhe goditjes së këtej fenomeni korruptiv.

r.n/NOA

KOMENTE