English

Permbushja E Standarteve Ekonomike Dhe Tregtare, Faktor Ne Rritjen Eksporteve Shqiptare

TIRANE, 1 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Përmbushja e standarteve ekonomike dhe tregtare vlerësohet si një nga faktorët kryesorë në rritjen e eksporteve shqiptare drejt tregjeve të huaja. Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Eno Bozdo, moderator i konferencës që u zhvillua sot në Tiranë, "Politikat tregtare të Shqipërisë, mbështetje për zhvillimin e vrullshëm ekonomik të vendit" , tha se, Shqipëria tani përballet me sfidën e re të rritjes së aftësive konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe me synim, hyrjen në Bashkimin Evropian. Duke bërë prezent arritjet ekonomike të vendit si dhe realizimin me sukses të marrëveshjeve që vendi ynë ka nënshkruar me insktitucionet ndërkombëtare botërore si MTL, CEFTA, OBT etj, Bozdo vlerësoi se "tregtia e jashtme është një nga faktorët shumë të rëndësishëm që ndikon në rritjen ekonomike të një vendi dhe që pasqyron rritjen e aftësisë konkurruese". Duke iu referuar treguesve statistikorë, ai tha se në vitin 2002, pas anëtarësimit të vendit në OBT, Shqipëria regjistroi nivelin më të lartë të tregtisë së mallrave, i cili kundrejt vitit 2001 vlerësohej 12 për qind më shumë, ose 1,5 miliardë dollarë më shumë. Në këtë rrugë, sivjet eksportet në muajin mars 2010 shënuan një rekord të ri në eksportet e vendit, duke ndikuar kështu pozitivisht në ngushtimin e deficitit tregtar të vendit. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit te Statistikes, eksportet gjate marsit të sivjetëm u rriten 83% më shumë, krahasuar me muajin mars 2009, ku kontributin më të madh e ka pasur grupi "Minerale, lende djegese, energji elektrike". Ndersa importet gjatë muajit mars, u rritën me 14% më shumë me marsin e vitit 2009. Për shkak të kësaj situate pozitive të krijuar në tregtinë e jashtme të vendit, deficiti tregtar i këtij muaji shënon nje ulje prej 7.5% krahasuar me mars 2009. Gjithnjë sipas statistikave, në muajin mars 2010 u eksportuan 14.6 miliardë lekë mallra, me rritje 83% në krahasim me mars 2009, dhe u importuan 38.2 miliardë lekë mallra me rritje 14 % në krahasim me Mars 2009. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zë 65.6% të totalit të shkëmbimeve tregtare. Partneret kryesore tregtare vazhdojne te jene Italia dhe Greqia. Duke evidentuar rritjen progresive eksporteve shqiptare, Bozdo, vuri në dukje se "performaca pozitive e tregtisë së jashte të Shqipërisë ka për bazë reformat fiskale që ka ndërmarrë qeveria dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve të huaja në vend, të cilat burojnë si detyrime të marrëveshjeve që vendi ynë ka nënshkruar me organizmin botëror të tregtisë". Shqipëria është anëtarësuar në Organizata Botërore e Tregtisë OBT më 8 shtator 2000, duke synuar pjesemarrje më aktive të vendit në sistemin tregtar shumëpalesh; hapjen e tregut të brendshëm dhe krijimin e një mjedisi më tërheqës ndaj investimeve të huaja; angazhim për qeverisjen nëpërmjet ligjit duke siguruar në zbatimin e rregullave të lojës, të cilat nuk mund të ndryshojnë sipas dëshirave; vendosjen e bazave per përmbushjen e standarteve ekonomike dhe tregtare me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe trajtimin më të favorshëm dhe të drejtë për operatorët tregtarë vendas dhe te huaj. Organizata Botërore e Tregtisë është institucion ndërkombëtar, nderqeveritar, me anëtarësim vullnetar, që vepron në fushën e tregtisë ndërqeveritare, ku nëpërmjet negociatave përcaktohen rregullat e funksionimit të tregtisë ndërkombëtare. Ajo perfaqëson një sistem tregtar shumëpalesh, të bazuar në parime dhe rregulla të shprehura në një paketë të plotë ligjore, ku çdo shtet anëtar gëzon të drejta dhe ka detyrime për zbatim. Çdo vend anetar imponohet për zbatimin e këtyre parimeve dhe rregullave nëpërmjet funksionimit të sistemit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Në zbatim të angazhimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në OBT, Qeveria shqiptare ka reduktuar nivelin e tarifave doganore, cka ka sjelle rritje të shkëmbimeve tregtare me vendet e anëtare të OBT-së./n.m/
KOMENTE