Prifti: Reformat Ekonomike Do Te Vazhdojne Me Sukses Edhe Ne Te Ardhmen
-Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, vlereson raportin e OBT per Shqiperine -
TIRANE, 1 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/.- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, vleresoi sot raportin e Organizates Boterore te Tregtise, si nje nga raportet me pozitive qe Shqiperia ka marre ndonjehere ne 10 vjetet e fundit.
Në konferencën "Politikat tregtare të Shqipërisë, mbështetje për zhvillimin e vrullshëm ekonomik të vendit", ku u prezantuan rezultatet e raportit të OBT për politikat tregtare të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, Prifti shprehu mirenjohjen per administraten shqiptare, e cila ka punuar me devotshmeri per te ecur ne linjen e duhur me OBT, per t'i pershtatur dhe respektuar rregullat dhe parimet e saj.
Në konferencë ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, ambasadori i Hungarisë në OBT, István Mayor, drejtues të ekonomisë etj.
"Në një pesëvjeçar, me këtë punë të shkëlqyer të administratës dhe të qeverisë, ne mund të jemi dhe anëtare me të drejta të plota në BE", theksoi Prifti. Sipas tij, Shqipëria ka realizuar plotësisht angazhimet në OBT dhe përpjekjet në drejtim të politikës tregtare do të kulmojnë me integrimin në Bashkimin Europian.
"Të gjitha përpjekjet tona që kemi në drejtim të politikës tregtare, sigurisht që do të kulmojnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një objektiv strategjik dhe madhor që ka qeveria shqiptare, një ëndërr që kanë të gjithë shqiptarë", theksoi ministri, i cili shprehu angazhimin për të plotësuar dhe përvetësuar kuadrin tonë ligjor dhe institucional me atë të Bashkimit Europian, jo thjesht si kërkesë për integrim, por duke qenë të bindur se kjo i shërben zhvillimit, prosperitetit dhe një jete më të mirë për të gjithë shqiptarët. E gjithë kjo punë që jemi duke bërë dhe kemi bërë në këto vitet e fundit e ka sjellë Shqipërinë shumë afër Europës, tha ai.
"Ne si qeveri kemi bindje që brenda këtij viti do të hiqen vizat me Bashkimin Europian dhe në një pesëvjeçar, me këtë punë të shkëlqyer të administratës dhe të qeverisë, ne mund të jemi dhe anëtare me të drejta të plota në BE", tha ai.
Kreu i Ekonomisë vlërësoi rrugën në të cilën ka ecur Shqipëria në vitet e fundit, duke përmendur rritjen kulmore në vitin 2008 me një rritje të GDP prej 8 për qind, duke veçuar punën e qeverisë dhe performanca e vendit në kushtet e një krize globale, pasi Shqipëria vazhdon dhe i reziston tronditjeve që kanë marrë vende më të forta.
Duke folur për faktin se kriza ekonomike botërore arriti të ngadalësojë ritmet e rritjes ekonomike, ministri Prifti tha se "përsëri Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon dhe në Europë, që vazhdon të rritet me ritme, që të gjithë i quajnë ritme të larta".
Ai veçoi faktin se investimet e huaja direkte janë rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë gjithë dekadës, që në vitin 2009 arritën në vlerën mbi 700 milion euro në vit. "Politika e hapur, jodiskriminuese dhe në favor të investimeve, është një faktor bazë që solli këtë rritje, duke sjellë, pas shumë përpjekjesh dhe shumë investime të natyrës green field në sektorë të caktuar", tha ministri Prifti.
Në vijim, ministri i Ekonomisë u ndal tek përpjekjet e jashtëzakonshme në vitet e fundit për të thelluar reformën në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Duke falenderuar stafin e METE dhe gjithë punonjësit e administratës që kanë ndihmuar për të pasqyruar këto reforma para OBT-së, ministri Prifti garantoi se reforma në këtë fushë do vazhdojë të jetë e suksesshme.
Në fillim të konferencës u transmetua një video mesazh nga drejtori i Përgjithshëm i OBT, Pascal Lamy, i cili shprehu vlerësimet e tij më pozitive për politikën tregtare të Shqipërisë. /a.ke/