Tiranë, 1 Qershor 2010 NOA Update – “Dua t’i kujtoj zotit Berisha se jemi pranë pikëmbërritjes që na është lënë nga miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur krizën e transparencës dhe nuk duhet t’i rëndojmë Shqipërinë e shqiptarët me pasojat e moszgjidhjes së kësaj krize. Këto pasoja janë bërë shumë të qarta në tryezën e Strasburgut dhe dje janë shprehur hapur edhe nga drejtuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, europarlamentari i djathtë Eduard Kukan”. Kështu u shpreh sot, Kryetari i PS, Edi Rama duke kërkuar që z. Berisha “të pranojë kompromisin e t’i hapë rrugë transparencës”.
Kryesocialisti kujtoi më tej faktin se nesër është Samiti i Sarajevës dhe theksoi: “Unë i bëj apel zotit Berisha të pranojë kompromisin e t’i hapë rrugë transparencës, duke i hapur rrugën liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimit europian të cilat miqtë e partnerët tanë i kanë kushtëzuar me zgjidhjen e krizës”.
Më shumë lajme nga PolitikaRama vlerësoi se kjo krizë është e papranueshme për komunitetin ndërkombëtar, sepse s’ka vend e shoqëri demokratike që të pranojë mungesën e transparencës si standard dhe mohimin e transparencës si një e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese në demokraci.
Në këtë pikë, z.Rama siguroi se “ne i kemi bërë hapat tanë dhe e kemi pranuar kompromisin për hir të interesit të madh publik që edhe transparenca të bëhet, edhe vizat të liberalizohen, edhe kushtet për reformat e integrimit të krijohen”.
Kurse më tej iu drejtua kryeministrit në distancë: “Zoti Berisha nuk duhet të mendojë se afati ultimativ i Strasburgut mund të zhbëhet me deklaratat e pasjellshme të zëdhënësve të partisë së tij apo se miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë nuk do t’i qëndrojnë paralajmërimit të tyre në rast mosgjidhjeje të krizës. Prandaj pa humbur kohë kryeministri duhet të dalë nga bunkeri ku është pozicionuar në kundërshtim me interesin e madh të vendit për transparencën e për liberalizimin e vizave dhe duhet të bëjë hapat e tij drejt kompromisit që gjendet në tavolinë”.
Në këtë kuadër, z.Rama konsideroi se Shqipëria ka nevojë të lëvizë me shpejtësi përpara, duke u hapur shqiptarëve rrugën e normalitetit demokratik përmes transparencës publike të kutive të mbyllura dhe duke u hequr atyre kufijtë e lëvizjes në Europë përmes liberalizimit të vizave dhe theksoi se kompromisi e garanton këtë.
Kurse shtoi: “Ne e kemi pranuar kompromisin. Ju bëj thirrje zoti kryeministër ta pranoni edhe ju, sepse pasojat e moszgjidhjes do t’u bien mbi kurriz shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia do të jetë vetëm e juaja. Kështu që ju zoti Berisha duhet të jeni dyfish i interesuar për të mos e mbajtur të bllokuar zgjidhjen, edhe si shqiptar, edhe si kryeministër”.
r.n/NOA