Rama: "Më Shumë Kënde Lojrash Në Lulishtet Dhe Parqet E Kryeqytetit"
TIRANË, 1 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ .- Fëmijëve të kryeqytetit u është shtuar sot një kënd i ri lojrash në lulishten pranë Presidencës.
"Këtë vit, Bashkia e Tiranës synon të zgjerojë këndet e lojrave për fëmijë, përmes vendosjes së më shumë këndeve, në lulishtet dhe parqet e hapura për lojë dhe qëndrim. Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet evidentimit të hapësirave publike, ku do të bëhet vendosja e këtyre këndeve, në një grup edhe më të madh sivjet", u shpreh kryetari i bashkisë së Tiranë, Edi Rama, gjatë përurimit të kësaj lulishteje.
Parqet, këndet e lojrave apo terrenet sportive të krijuara enkas për më të vegjëlit ndihmojnë në zhvillimin motorik dhe njohës të fëmijës, por edhe në reduktimin e problemeve të mësimnxënies, të problemeve të ndryshme shëndetësore, si dhe për t'u paraprirë kështu edhe tendencave të shtimit në peshë, të shkaktuara nga ushqimi i tepërt dhe moslëvizja.
Megjithatë, sipas Bashkisë, "sfida dhe vështirësi të shumta ndeshen edhe në këtë drejtim. Nevoja për të siguruar hapësira të lira midis pallateve, çështjet e pronësisë, etj., mbeten çështje të cilat kërkojnë pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e të gjithë komunitetit, si kontribues në krijimin dhe shtimin e këtyre hapësirave bashkëvepruese për më të vegjlit".
"Investimet e kryera dhe ato që do të realizohen në të ardhmen kanë një rol të rëndësishëm, por krahas kësaj, në gjithë këtë proçes një rëndësi të veçantë zë kryesisht mirëmbajtja e këndeve të lojrave dhe e çdo hapësire tjetër publike, e cila mundëson dhe është në funksion të mirëqënies dhe rritjes së cilësisë së jetës së vetë qytetarëve. Kjo gjë kërkon domosdoshmërisht ndërgjegjësimin dhe përkujdesjen e të gjithë komunitetit, si përfitues të drejtpërdrejtë të këtyre investimeve", thanë burime nga Bashkia. /s.s./