Reportazh: Dhimbje E Tranuar Per Blerinen...!!!
KUKËS, 1 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Policia bën prej 11 ditësh të njëjtën rrugë, drejt fshatit Zapod, ku vazhdojnë kërkimet për Bleona Matën, vajzën 6-vjeçare e zhdukur, deri tani pa asnjë gjurmë.
Në Zapod, 3-4 fëmijë luajnë në sheshin e fshatit, ndërsa nuk sheh asnjë njeri tjetër. Klubi është bosh.
Sot kanë mbërritur edhe ekspertë të krimeve të rënda, prefekti i qarkut, Elez Maçi, dhe drejtori i policisë së qarkut, Sadri Ramcaj.
Drejtori i policisë thotë se do të kërkojmë e investigojmë deri sa të gjejmë të vërtetën.
"Kërkimet i kemi shtrirë dhe në Kosovë e Maqedoni, me policitë e të cilave kemi gjetur mirëkuptim e gatishmëri," thotë Ramcaj.
Shpërblimi për ndonjë informatë dje u bë 3 milionë lekë, nga 500 mijë që ishte vendosur fillimisht nga policia. Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, i cili vizitoi dje Kukësin dhe bëri të ditur edhe rritjen e shpërblimit për informatorët, garantoi pjesëtarët e familjes se do të bëhet çmos që vajza të gjendet.
Punonjësit e policisë i ngjiten malit duke vëzhguar me kujdes, larg edhe afër, me sy e me dylbi, qoftë për një gjurmë, qoftë për një lëvizje.
Afër majës së malit, era bëhet më e ftohtë.
"Në katër ditët e para gjithë banorët e fshatrave Zapod, Orgjost, Orcikël etj e kanë shkelur pëllëmbë për pëllëmbë gjithë vendin", thotë kryetari i komunës, Dan Koloshi. Ai është i bindur se vërteta do të dalë. Prej 11 ditësh, ai nuk është larguar nga fshati.
Dy ditë më parë, policia arrestoi një person, të dyshuar për dëshmi të rreme dhe pengimi hetimi, por asgjë me tej.
Në shtëpinë e Zenelit
Gjyshi i Bleonës, Zeneli Mata, nuk ka shkuar në shkollë prej ditësh, ku punon si mësues.
"Qëndroj gjithë ditën në shtepi se Zamiri (babai i vajzës) që në mëngjes është nisur me ekspertët e krimeve të rënda në mal," thotë ai.
"Besimin më të madh e kemi te shteti," thotë Zeneli. Këto ditë "na kanë qëndruar pranë e po bëjnë çmos për ta gjetur vajzën," shton ai.
"Thirrja jonë është: kushdo që di diçka, apo e sheh, të na tregojë, do ta mbajmë si mik shtëpie. Kemi ngritur në këmbë gjithë shtetin, gjithë banorët, të cilët i falenderoj se kanë punuar pa masë," thotë Zeneli.
"Kjo që na ka ndodh ne, mos i ndodhtë kujt," e mbyll fjalën e tij Zeneli, gjyshi 54 vjeçar i vajzës.
"Po ndonjë pistë, apo dyshim a keni ju?," e pyesim.
"S'kemi pas ndonjë problem me njeri. Vajza është ndodhur rastësisht atë ditë në kullotë, ishte dita e parë që doli me hallën e saj," përgjigjet.
Në familje nuk reshtin së ardhuri banorë të fshatit që pyesin për ndonjë gjë të re.
Me lot në sy pranon të flasë edhe nëna e vajzës, Bukuria, që më shumë qëndron në dhomën, pranë shtratit të Bleonës janë fotografitë e saj.
"I lutemi kujtdo që e ka marrë, ta sjellë në shtëpi, të kërkojë çfarë të dojë, edhe organ, jemi të gatshëm t'i përgjigjemi, vetëm vajzën të na e sjellë. Vetëm ta dimë se është e gjallë," lutet Bukuria.
Shtëpia dykatëshe ka vazhdimisht lëvizje; banorë të fshatit, punonjës policie, por edhe gazetarë.
Ngjarja zë fill me 22 maj, rreth orës 17,30 minuta kur është dhënë alarmi i zhdukjes së vajzës.
Halla e saj, Alketa, që ka qenë e fundit që e ka parë, thotë:
"I shtrova xhaketën, i dhshë bukë të hajë duke i thënë: më prit sa të mbledh delet. Kur u ktheve vetëm xhaketën gjeta."
Nuk ka dyshim se 6 vjeçarja është rrëmbyer, një fenomen që nuk ka ndodhur kurrë deri tani në zonën e Gorës./ch/