Reportazh/ Tropojë: Hapet Sezoni Turistik Në Valbonë Mes Shumë Turistëve
TROPOJË, 1 Qershor/ATSH-R.Hoxha/ - Lugina e Valbonës është mbushur me turistë vendas dhe të huaj në hapjen e sezonit të ri turistik, të cilën komuna e shpalli mes veprimtarive sportive e kulturore, organizuar nga vetë turistët.
Kryetari i komunës, Rexh Biberaj tregon se në Luginë ndodheshin rreth 330 gjermanë, çekë e anglezë" dhe "2000 vizitorë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, bile edhe nga skaji më jugor, Saranda si dhe nga Kosova.
"Në fundjavë kjo gjë është bërë e zakonshme, bile vetë vizitorët vijnë duke marrë masat si për strehim, ashtu edhe për ushim. Kemi një fluks të madh vizitorësh, aq sa nuk e kishim parashikuar", thotë Biberaj.
"Ndaj dhe në bashkëpunim me agjencitë turistike të huaja e kosovare do të organizojmë më 11 - 12 qershor një veprimtari të gjërë me turistët e pranishëm që përmbledh gara me makina sportive, hipizëm, alpinizëm, guzhinën vendase si dhe njohjen e historisë së zonës", shton ai.
Por një fluks të tillë turistësh, banorët nuk e përballojnë dot, ndaj një pjesë e mirë e turistëve e kalojnë natën nëpër mjetet e tyre, apo në çadra.
"Ne kemi në dispozicion të turizmit mbi 100 shtretër, ndërsa të tjerët edhe pse e dinë, vijnë me dëshirë, kryesisht kalojnë një natë duke qëndruar të pagjumë", thotë Biberaj.
Në këtë zonë ka nisur të lëvizë edhe biznesi privat.
"Pak ditë më parë kemi nënshkruar një marrëveshje për të sjellë sinjalin e telefonisë së lëvizshme me kompaninë "Eagle", e cila ka marrë përsipër t'i përfundojë të gjitha punimet brenda muajit qershor", thotë Biberaj.
Gjatë këtij viti kanë nisur dhe investime të tjera.
Punimet vijojnë për ndërtimin e një qendre informacioni, kulture dhe muzeale në fshatin Valbonë, me fondin 430 mijë euro, që financohet FZHSH, që përfshin ndërtimin e një objekti dykatësh për këtë qëllim, që parashikohet të përfundojë në fund të shtatorit.
Zona e Valbonës vitet e fundit ka tërhequr ndjeshëm turistë të huaj. Kështu, vjet zona u vizitua nga mbi 15 mijë turistë, nga vetëm më pak se 5000 turistë që e vizitonin 3 vjet më parë. Banorët parashikojnë që gjatë këtij viti, Valbona do të vizitohet nga mbi 40 mijë turistë me qëndrim nga 1-10 ditë.
Fluksi më i madh është në fundjave, kur drejt Valbonës mësyjnë qindra vizitorë nga Kosova, e rrethe të ndryshme të Shqipërisë./ch/