Shëndetësi: Rreth 190 Specialistë Mjekësie Çertifikohen "Menaxherë Spitalorë"
TIRANË, 1 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Rreth 190 drejtues të institucioneve shëndetësore në vend dhe specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë, u çertifikuan sot "Menaxherë spitalorë" në një ceremoni, organizuar sot, pasdite në Hotel "Tirana Interational".
"Kjo nismë është pjesë e reformës në sistemin shëndetësor, realizimi i së cilës kërkon njerëz të kualifikuar dhe profesionistë në fushat e tyre", tha për ATSH-në Mirela Meko, drejtore e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në MSH.
Sipas saj, kursi u organizua në kuadër të një projekti të Bankës Botërore, në bashkëpunim me MSH. Kursi zgjati për rreth tre javë, duke përfshirë periudha të ndryshme kohore. Pjesë e tij ishin 190 specialistë mjekësie nga poliklinikat dhe spitalet në vend, si dhe të administratës së MSH.
"Pjesëmarrësit u pajisën në fund të kursit me çërtifikatë, e cila është e akredituar dhe përmban 54 kredite të vlefshme, në rrugën e mëtejshme të profesionistëve në shërbim të qytetarëve", tha Meko.
Sipas saj, 190 specialistët e çertifikuar tashmë mund të jenë drejtues të zot institucionesh shëndetësore, por procesi i edukimit në vazhdim nuk mbaron me këtë kurs. "Ky kurs do t'u shërbejë atyre në të ardhmen në punë dhe misionin e tyre në fushën e shëndetësisë", tha Meko.
Reforma në sistemin shëndetësor nisi me përfshirjen e kujdesit parësor shëndetësor në skemën e sigurimeve shëndetësore në vitin 2007, ndërsa hapi më i rëndësishëm për zgjerimin e skemës së sigurimeve shëndetësore ishte përfshirja e spitaleve në skemë në vitin 2009.
Reforma e nisur ndryshon mënyrën e funksionimit dhe administrimit të spitaleve, të cilat tashmë kanë një kontratë të mirëdetajuar me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe do të menaxhojnë vetë një pjesë të buxhetit.
Ndërkaq, viti 2010 shënon nisjen e funksionimit të sistemit të trajnimit të vazhdueshëm, nëpërmjet krediteve për punonjësit e shëndetësisë. Ngritja dhe funksionimi i një sistemi të edukimit në vazhdim është një nga prioritetet e Qeverisë në kuadrin e reformës së kujdesit shëndetësor.
MSH ka përcaktuar edukimin në vazhdim, akreditimin e edukimit në vazhdim dhe riçertifikimin e punonjësve të shëndetësisë, si një nga shtyllat e reformës për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe performancës së sistemit shëndetësor në përgjithësi./n.m/