Tiranë, 1 Qershor 2010 NOA – Arrestohet një i shumëkërkuar për shfrytëzim prostitucioni, zbulohet se kishte “profesion” atë të tutorit pasi mëse një herë ishte akuzuar për trafikim femrash.
Burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës i konfirmuan agjencisë NOA se “shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe kërkimit finalizuan kapjen e një personi të kërkuar për veprën penale të trafikimit të femrave për prostitucion në bashkëpunim më shumë se një herë, të dënuar për këtë vepër penale me 15 vjet burg”.
Agim Kabashi 1969, lindur në Kukës dhe banues në lagjen Nr.14 në Durrës me kombësi e shtetësi shqiptare, i padënuar më parë., kërkohej pasi kishte abuzuar duke përdorur një vajzë për qëllime prostitucioni dhe paratë që nxirrte i shfrytëzonte për vete.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 19.05.2008 ka përcaktuar masën e dënimit me 15 vjet burg për veprën penale të mësipërme. Prokuroria e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 23.06.2008 ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Kjo pasi në vitin 2003, në bashkëpunim edhe me shtetasin Kreshnik Mazreku (i dënuar me vendim të formës së prerë), janë kapur në flagrancë duke trafikuar në drejtim të Greqisë, me destinacion përfundimtar Anglinë, shtetasen F.K..
Lidhur me faktet e mësipërme shtetasi Agim Kabashi është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës më datë 15.11.2003.
Kapja e këtij shtetasi u mundësua ditën e sotme në qytetin e Tiranës, në rrugën “Komuna e Parisit” pranë Kopshtit Botanik Tiranë, në vijimësi të punës hetimore të bërë përgjatë këtyre viteve për përcaktimin e vendndodhjes së të kërkuarit.
Gjatë periudhës në fjalë ky shtetas i është shmangur hetimit duke ndryshuar vazhdimisht vendndodhjen në shtete të ndryshme të Europës Perëndimore, së fundmi në Londër Angli për të udhëtuar më pas drejt Shqipërisë.
a.b/NOA