Tiranë, 1 Qershor, NOA /Milena Selimi - Në kuadrin e festimeve të 1 Qershorit, Qendra Kulturore “Tirana”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social, organizon sot spektaklin e madh festiv të titulluar "Të argëtohemi së bashku" në amfiteatrin pranë kodrave të Liqenit Artificial.
Një shfaqje e veçantë e Teatrit të Metropolit për Fëmijë me pjesën "Në ballon e luleve" si dhe një performancë e numrave specialë nga artistët e Cirkut të Metropolit është parashikuar se do të ndiqet nga 400 fëmijë të Qendrave Komunitare të Tiranës.
Por një dekor i veçantë në natyrë është ndërtuar për këtë ditë pranë Amfiteatrit të Liqenit Artificial, ku do të lëvizin personazhe të botës së përrallës dhe të magjisë.
Kllounë, prestigjatorë, Borëbardha, Hirushja do të jenë sot, që në orët e para të paradites pjesë e festimeve në kodrat e Liqenit Artificial.
Ndërkohë edhe Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për të festuar në sheshe dhe ambiente publike.
Nga ana e saj, Qendra e Edukimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve sugjeron me këtë rast në ambientet e Muzeut Kombëtar aktivitete argëtuese me fëmijët e çerdheve të kryeqytetit.
Aktivitetet e mësipërme përveç të tjerash synojnë sensibilizimin e të gjithë shoqërisë dhe komunitetit për të ofruar për të gjithë fëmijët një jetë më të larmishme sociale dhe kulturore.
m.s/n.e/NOA