English

Sot 37.500 maturantë japin provimin e parë të Maturës Shtetërore, Letërsinë

Tiranë, 1 Qershor, NOA – Ka startuar paraditen e sotme në të gjithë vendin, provimi i parë i Maturës Shtetërore 2010, i cili është konkretisht ai i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe, për t’u pasuar pas disa ditësh me atë të Matematikës.

Referuar shifrave në të gjithë vendin, përllogaritet se janë mëse 37.500 maturantë të cilët janë ulur që prej orës 10.00 në bankat e shkollave për të dhënë provimin e Letërsisë ndërsa është parashikuar dalja prej tyre rreth orës 12.30.

Më pas, është parashikuar sipas procedurave përkatëse që testet e kryera prej secilit maturant, të mblidhen dhe të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimit të Tiranës, Fierit, Elbasanit dhe Shkodrës.

Ndërsa mësohet se shpërndarja e testeve nëpër shkollat e mesme nëpër qytete, është kryer gjatë mbrëmjes së djeshme, ku për hartimin e tyre janë ngujuar prej ditësh 16 mësues.

Sipas të dhënave, vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2010, bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen më pas në notë.

Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, Agjencia e Vlerësimit shpall skemën e vlerësimit të testit, ndërsa testet e provimit të maturës vlerësohen nga vlerësues të jashtëm.

a.y/NOA

KOMENTE