English

Speciale – Matura Shtetërore, përfundoi provimi i detyruar i lëndës Letërsi-Gjuhë Shqipe

Çdo maturant, çdo prind, çdo institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund t’i gjejë përgjigjet...

Tiranë, 1 Qershor 2010 NOA - U zhvillua sot në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i lëndës Letërsi - Gjuhë shqipe. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë.

Në provim morën pjesë rreth 38 000 maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. Rreth 2.000 administratorë të provimit (AP) u përfshinë në këtë proces.

Nga monitorimi i vazhdueshëm për Maturën Shtetërore, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore rezultoi se gjithçka eci normalisht.

Po sot testet e maturantëve me masa të rrepta sigurie do të nisen në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve dhe do të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimeve.

MASH, në bashkëpunim me AVA-n, ka trajnuar të gjithë vlerësuesit e testeve, në mënyrë që ky proces të jetë korrekt, i saktë dhe bindës për secilin maturant.

Vlerësuesit janë të gatshëm të nisin procesin e korrigjimit të testeve nga data 3 qershor 2010 në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier.

Procesi i vlerësimit të testeve kësaj here do të monitorohet nga ekspertë të politikave të inspektimit në MASH dhe specialistë të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar.

Nëpërmjet kësaj rruge, MASH thotë se synon të konsolidojë vlerësimin e produktit të çdo maturanti në mënyrën më të mirë, në të njëjtat standarde me vendet e BE-së.

Monitoruesit do të ndjekin të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje me qëllim që MASH të bëjë të mundur një vlerësim real të cilësisë në të gjitha shkollat e vendit.

Çdo maturant, çdo prind, çdo institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund t’i gjejë përgjigjet në faqen e internetit të MASH.

r.n/NOA

KOMENTE