English

Sport- Fshf Merr Përsipër Edhe Organizimin E Kampionatit Të Minifutbollit

TIRANË, 1 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë organizatore e kampionatit të futbollit në sallë (minifutbollit) sezonin e ardhshëm. Kjo u vendos pas një takimi të zhilluar sot në zyrat e FSHF-së mes ekipeve pjesëmarrëse të kampionatit kombëtar të futbollit në sallë, përfaqësuesve të kësaj shoqate dhe përfaqësuesve të FSHF. Sipas FSHF-së, "në takim morrën pjesë përfaqësuesit e klubeve "Ali Demi", "Tirana", Flamurtari", "Partizani", "Flabina" dhe "Edro Vlora". Gjatë takimit u diskutua në lidhje me probleme që janë shfaqur gjatë zhvillimit të edicionit aktual të kampionatit kombëtar të futbollit në sallë, si dhe për mbarëvajtjen e aktiviteteve të këtij sporti në të ardhmen. Në sezonin që sapo u mbyll, pati disa probleme sidomos në fazën "play-off", ku ekipet nuk dinin se kujt duhet t'i drejtoheshin për të përcaktuar kalendarin, shoqatës së minifutbollit apo FSHF-së. Gjithashtu, pati edhe disa raste dhune, të cilat mbetën të pandëshkuara si pasojë e mungesës së një federate për minifutbollin. Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit ranë dakort që kampionati kombëtar i futbollit të sallës në edicionin e ardhshëm të merret përsipër nga Federata Shqiptare e Futbollit. /a.ke/
KOMENTE