Sport-Futboll/ Drejtimi I Dinamos, Mision I Vështirë Për Trajnerin Argjentinas Manuel Blanko
- Trajneri argjentinas, Luis Manuel Blanko, duhet të çojë kampionen e Shqipërisë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve -
TIRANË, 1 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Trajneri argjentinas, Luis Manuel Blanko, është përpara një sfide prestigji dhe vlere kur të pasojë Shkëlqim Muçën në stolin e Dinamos, kampiones së Shqipërisë.
Blanko, trajneri i katërt argjentinas që do të drejtojë 18-herë kampionët në dhjetë vjeçarin e fundit, është drejt realizimit të një objektivi të madh.
Blanko duhet të kualifikojë Dinamon në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, çka përkthehet me kalimin e dy tureve paraeliminatore.
Një mision gati i pamundur, pasi në fazën e grupeve të Champions marrin pjesë që nga kampionia në fuqi e Europës, Interi dhe të gjithë emrat e mëdhenj të futbollit europian.
Nëse Dinamo eliminohet qysh në turin e dytë (për blutë kjo është ndeshja e parë), atëherë Blankos i duhet të largohet pa dëmshpërblim.
Dinamo dështoi në edicionin 2008-2009, kur me argjentinasin Marcelo Havier Zuleta në bankinë u eliminua nga kampionia e Bosnjës, Modrica.
Dinamo do të nisë stërvitjet më 7 qershor (në klub), ndërsa më 10 qershor blutë do ta kryejnë fazën përgatitore jashtë shtetit./s.s./