Sport- Futboll - Kombëtarja Mbyll Përgatitjet Anti-Andorra
TIRANË, 1 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Kombëtarja shqiptare e futbollit, pas fitores 1-0 në miqësoren kundër Malit të Zi, që u zhvillua në Podgoricë mesjavën e kaluar, do të luajë nesër miqësoren e dytë brenda një jave, në orën 20:00 kundër Andorrës, në stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa". Takimi do të zhvillohet në kuadër të festimeve me rastin e 80-vjetorit të krijimit të FSHF-së.
Sot në orën 18:00 futbollistët shqiptar zhvilluan stërvitjen e fundit në Durrës, ndërsa trajneri kroat, Josip Kuzhe, bëri të ditur edhe formacionin titullar për nesër.
Në portë do të luajë sërish Isli Hidi. Në krahët e mbrojtjes do të luajnë Kristi Vangeli (i rekuperuar nga dëmtimi) dhe Ansi Agolli, ndërsa në qendër të mbrojtjes do të jetë një dyshe e kampionatit shqiptar, e përbërë nga mbrojtësi i Besës, Endri Vrapi dhe mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila. Në mesfushë do të jenë Ervin Bulku dhe Ervin Skela në qendër, ndërsa në krahun e djathtë do të luajë Klodian Duro dhe në krahun e majtë, Jahmir Hyka. Në sulm do të luajë dyshja Hamdi Salihi dhe Edmond Kapllani.
Shqipëria në të vetmen ndeshje kundër Andorrës, që ndodhet në vendin e 201 në renditjen e FIFA-s, ka humbur 2-0 në transfertë në vitin 2002, në një takim miqësor që i kushtoi edhe pankinën ish-trajnerit, Sulejman Demollari.
Andorra është një skuadër thuajse amatore, renditet në vendin e 201-të në FIFA (Shqipëria është e 79-ta) dhe ka fituar vetëm 3 takime në historinë e saj, një prej tyre ndaj Shqipërisë.
Për takimin Shqipëri- Andorra, Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka hedhur në treg biletat, që kushtojnë: 500 lekë në tribunat kryesore (A dhe B) dhe nga 200 lekë në ato karshi (D1, D2 dhe D3).
Fitorja ndaj Malit të Zi ishte e treta në 5 ndeshje miqësore me trajnerin Josip Kuzhe, ndërsa dy takimet e tjera kanë përfunduar në barazim.
- Miqësoret e Shqipërisë nën drejtmin e Josip Kuzhe
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0
Mali i Zi-Shqipëri 0-1
2 qershor, ora 20:00
Shqipëri-Andorrë
/a.ke/