English

Sport-Futboll/ Ylli Ndroqi, Presidenti I Ri I Klubit Të "Shkumbinit"

TIRANË, 1 Qershor /ATSH/ - Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist (FSHBP), biznesmeni Ylli Ndroqi, mori sot drejtimin e klubit të futbollit të Shkumbinit. Ndroqi do të ketë 85% të aksioneve të klubit, ndërsa bashkia e Peqinit do ketë 15% të tyre. Marrëveshja është nënshkruar sot nga Ylli Ndroqi dhe kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rusha. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ndroqi garantoi se shumë shpejt Peqini do të zërë vendin e parë në sportin shqiptar. "Premtoj se Shkumbini do jetë kampion për Shqipërinë. Do bëj organizim dhe investim të madh për Peqinin sepse e meriton", tha ai. Ndroqi u shpreh krenar që do jetë President i klubit Shkumbini, ndërkohë që prezantimi i tij zyrtar si president i ri i klubit të Shkumbinit përpara tifozëve dhe futbollistëve, do të zhvillohet nesër./gj.m/s.s./
KOMENTE