English

Sport/ Lojrat E Olimpikut Special, Më Shumë Se Një Lëvizje Sportive, Një Veprimtari Humane

TIRANË, 1 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Nën moton "Sporti nuk njeh barriera", Lojërat Olimpike Speciale vijnë për të tretën herë në Shqipëri. Lojërat Olimpike Speciale këtë vit do të zhvillohen në datat 1, 2 dhe 3 qershor dhe në to do të marrin pjesë 250 atletë, të ndarë në 14 skuadra nga 11 rrethe të vendit, të cilët do t'i bashkohen mbi 2.200.000 atletëve të tjerë që janë pjesë e kësaj iniciative olimpike globale. Sot, në ditën e parë të Lojërave Olimpike Speciale, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe shpalli fillimin e lojërave përmes ndezjes simbolike të Flakës Olimpike, e cila nisi rrugëtimin e saj prej Presidencës, për të vijuar përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", sheshit "Skënderbej, rrugës së Durrësit dhe në fund të "shtegtimit" të saj, Flaka Olimpike do të mbërrijë pranë Qendrës Sociale "Don Bosco", ku do të fillojnë garat. Aktiviteti u përshëndet edhe nga kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Altin Lala, trajneri i Besës, Shpëtim Duro, nga futbollistët e Besës, Daniel Xhafaj dhe Orges Shehi si dhe nga ekipi i basketbollit të Tiranës. Lojërat Olimpike Speciale këtë vit përfshijnë 6 disiplina sportive: basketboll, futboll, atletikë, ping-pong, bowling dhe not. Në pasditen e parë të aktivitetit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të argëtohen me lojërat dhe programin festiv, falë mbështetjes së një numri të madh vullnetarësh nga Korpusi i Paqes në Shqipëri (Peace Corps Albania), animatorëve socialë të Qendrës Sociale "Don Bosco", pjesëmarrësve të programit të Vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, si dhe prej shumë vullnetarëve punonjës të shoqërisë "Vodafone Albania" Sh.A. Qëllimi themelor i Lojërave Olimpike Speciale është thyerja e pengesave ndërmjet individëve me dhe pa aftësi speciale përmes integrimit të tyre në aktivitete të përbashkëta sportive. Gjatë tre viteve është punuar me kujdes të veçantë për personat me aftësi speciale, dhe ka pasur organizim të ngushtë mes organizatave dhe institucioneve si Olimpiku Special Shqiptar, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sociale "Don Bosco", duke pasur një rrjet të gjerë vullnetarësh, bashkëpunëtorësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile. E veçanta e këtij viti për atletët me aftësi speciale është se në sajë të mbështetjes financiare të Fondacionit Vodafone Albania një delegacion i tyre do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojrat Olimpike Speciale Ndërkombëtare, që do të zhvillohen në muajin shtator në Varshavë, Poloni./s.s./
KOMENTE