English

Sport- Merkato - "Yjet" E Superligës Drejt Kampionateve Të Huaja

RANË, 1 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Merkatoja verore, e cila u çel zyrtarisht sot dhe mbyllet në fund të gushtit, pritet të dhurojë mjaft surpriza në kampionatin shqiptar. Përveç afrimeve të shumta tek ekipet shqiptare, priten edhe mjaft largime drejt kampionateve të huaja, të atyre që konsiderohen si lojtarët kryesorë. Kështu, mesfushori i njohur i Dinamos, Igli Allmuça, lojtari që ka veshur fanellat e tre klubeve të kryeqytetit, Partizanit, Tiranës (kampion) e Dinamos (kampion) mund të luajë sezonin e ardhshëm në Arabinë Saudite me FC Al Fajsali, trajner i së cilës është ish-trajneri i Dinamos, kroati Zllatko Daliç. Sipas drejtuesve blu, bëhet fjalë për një kontratë që në total kap shumën 260 mijë euro. Te Dinamo, Allmuça merr një shumë që varion nga 40.000-45.000 euro në vit. Ndërkohë, mesfushori i Shkumbinit, Ilirjan Caushaj, (9 gola sezonin e kaluar) do të provohet në Greqi, te skuadra e Kategorisë së Dytë helene, Panetolitos. Përmetari Caushaj, një ish-lojtar i kombëtares U-21, e që në karrierën e tij ka luajtur edhe me Dinamon, Teutën e Flamurtarin, ka pasur në fillimet e tij sportive edhe një eksperiencë të shkurtër në Itali me të rinjtë e Piaçencës. Ndërsa sulmuesi i talentuar i Besës, Sokol Cikalleshi, 2 gola në 27 ndeshje sezonin e kaluar, ka oferta të ndryshme nga ekipe të huaja. Sipas drejtuesve kavajas, për lojtarin ka tri oferta nga Gjermania, Ukraina dhe Turqia, por ditët e fundit janë interesuar edhe menaxherë italianë të skuadrave të Serisë A. Arlind Nora, sulmuesi kryesor i Laçit (14 gola sezonin e kaluar) që dha një kontribut të çmuar në fitimin e një vendi në Ligën e Europës, një arritje historike për klubin kurbinas, kërkohet nga një skuadër nga Azerbajxhani, nga ku ka një ofertë konkrete. /a.ke/
KOMENTE