Prishtinë, 1 Qershor, NOA – Me paraqitjen e përfaqësuesit të Kosovës në Sarajevë, si vend i barabartë me shtetet e tjera, Bashkimi Evropian ka dëshmuar se e njeh përparimin dhe realitetin e ri në Kosovën e pavarur.
Një fakt të tillë e ka deklaruar sot kryeministri kosovar Hashim Thaçi, sipas të cilit, në Sarajevë pala kosovare do të konfirmojë zotimin për ndërtimin e raporteve të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët dhe zotimin për relacion ndërshtetëror ndërmjet saj dhe Serbisë, si parakusht për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën perëndimore, euro-atlantike të të gjithë Ballkanit Perëndimor”.
Edhe politikanë të tjerë në Kosovë e kanë vlerësuar pjesëmarrjen e këtij vendi si shtet në Samitin e Sarajevës, duke e konsideruar këtë si një arritje.
Sipas tyre, për Kosovën është me rëndësi që është ftuar si një vend i barabartë me shtetet tjera, gjë e cila sipas tyre, dëshmon se Bashkimi Evropian e njeh realitetin e ri në Kosovën e pavarur.
Ndërsa opozita kosovare ka vlerësuar se kjo konferencë paraqet kthim prapa në axhendën evropiane, krahasuar me konferencën e para 10 vjetëve në Zagreb.
n.e/NOA