Shkodër, 1 Qershor, NOA – Në udhëtimin e saj drejt Shkodrës për të festuar 1 Qershorin me fëmijët shkodranë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u deklaroi fëmijëve dhe prindërve të tyre se ndryshe nga më parë, fëmijët shqiptarë tashmë do të kenë mundësi të lëvizin të lirë në Europë, duke bërë realitet të prekshëm ëndrrën e dikurshme të prindërve të tyre.
“Vendimi i 27 Majit erdhi si rezultat i zgjedhjeve më të mira të shqiptarëve të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri, një premtim i mbajtur edhe sepse ne realizuam zgjedhje me standarde që plotësonin shumicën e kërkesave të OSBE/ODHIR-it, duke përmbushur të gjitha detyrimet që Komisioni Europian, Bashkimi Europian na kishte vënë”, deklaroi në këtë atmosferë festive kryeparlkamentarja Topalli.
Duke e cilësuar heqjen e vizave si premtimin e mbajtur të qeverisë, kryetarja e kuvendit i lëshoi një apel kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, sipas saj, në këta muaj postzgjedhorë nuk bëri gjë tjetër veçse të kërkoi me të gjitha mënyrat të pengojë integrimin.
“Kanë qenë 9 muaj, në të cilët Edvin Rama ka bërë çdo përpjekje që të mos arrihej 27 Maji, dita, në të cilën komisionerja Malstrom u tha shqiptarëve se, “është merita juaj, se ju keni bërë një punë të madhe, një punë të fortë, keni bërë një punë të jashtëzakonshme”.
Zonja Topalli në përfundim të fjalës së saj i bëri të qartë kreut socialist, nga qyteti i Shkodrës, se “I them sot Edvin Ramës nga ky qytet, që ka vuajtur më shumë se çdo qytet tjetër nga regjimi komunist, që nuk mund të kthehen më as bllokmenët e vjetër, as bllokmenët e rinj, të cilët mund të pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë”.
mit/NOA