English

Topi apelon: Më shumë ndjeshmëri për fëmijët me aftësi të kufizuara

Tiranë, 1 Qershor, NOA – “Dëshiroj të jap një apel për të gjithë përfaqësuesit e institucioneve, gjithë politikën, gjithë botën e biznesit dhe mbarë shoqërinë shqiptare, për të rritur standardin e ndjeshmërisë dhe të solidaritetit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara”.

Një mesazh të tillë, presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka dhënë gjatë një ceremonie të veçantë të hapjes së Lojërave Olimpike Speciale Shqiptare 2010.

Sipas tij, Lëvizja Olimpike Speciale shqiptare ka vlera të veçanta, sepse është një moment ku kombinohen jo vetëm dëshira e sportistit për të garuar.

“Por është speciale, sepse është e rrethuar me shumë përkushtim, me shumë vëmendje nga njerëzit që asistojnë njerëzit që janë në nevojë. Besoj që është momenti sot për ta thënë me zë të hapur, me zë të fortë që, përtej falenderimit për përkushtimin e këtyre njerëzve, të edukatorëve, të profesorëve, të mjeshtrave të sportit, të prindërve, për t’i dhënë mundësinë këtyre fëmijëve për të tejkaluar të gjitha handikapet fizike dhe për të qenë njëlloj si gjithë të tjerët”, tha në fjalën e tij Topi.

Duke mos harruar të falënderojë me këtë rast edhe kompaninë “Vodafone Albania”, e cila ka bërë të mundur që garat olimpikë specialë shqiptarë të vijnë dhe të evidentohen dhe të bëhen prezente në mbarë shoqërinë shqiptare. n.e/NOA

KOMENTE