English

Turqi - Flotilje - Erdogani Akuzon Izraelin Për Masakër Të Përgjakshme Dhe Kërkon Ndëshkim

ANKARA, 1 qershor /ATSH-AFP/ - Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan akuzoi sot Izraelin se ka kryer një ditë më parë një "masakër të përgjakshme" duke ndërmarrë një sulm të përgjakshëm kundër një flotiljeje propalestineze me destinacion Gazën. "E dënoj në mënyrën më të fortë këtë masakër të përgjakshme të kryer nga Izraeli", deklaroi ai përpara grupit parlamentar të partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, e dalë nga lëvizja islamike, duke kërkuar që ky vend të "ndëshkohet absolutisht" për veprimin e tij. "Ky sulm i paturpshëm dhe i papërgjegjshëm që shkel çdo virtyt njerëzor duhet të ndëshkohet në mënyrë absolute", deklaroi ai. Gjatë një fjalimi shumë të ashpër kundër shtetit hebre, disa herë të duartrokitur me ovacione nga deputetët, Erdogan paralajmëroi se "Izraeli nuk duhet të vërë në provë durimin e Turqisë". "Komuniteti ndërkombëtar duhet t'i thotë 'jo' sulmeve të Izraelit", shtoi kryeministri. /I.Pu.
KOMENTE