Vlorë: Mot Me Vranësira, Punë Normale Në Port
LORË, 1 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Reshjet që kanë rënë gjatë natës në gjirin detar të Vlorës, pritet të vazhdojnë edhe pjesën e parë të ditës së sotme në mënyrë të pjesshme dhe lokale. Në orët e pasdites, parashikohet të ketë një përmirësim të kushteve të motit, si rrjedhojë e ndryshimit të drejtimit të erës. Por, kjo situatë sinoptike do të shoqërohet edhe me rënie të vlerave të temperaturave në një masë deri në 2-3 gradë krahasuar me një ditë më parë dhe pavarësisht nga rritja e intensitetit të erës, puna në port vazhdon normalisht.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Veri-Veriperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 6-8 m/sek, deri në 10-12 m/sek në afërsi të bregut të detit.
Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 22-24 gradë celcius dhe ato minimale në 14-16 gradë celcius. Valëzimi parashikohet të jetë 1-2 ballë brenda gjirit detar dhe 4-5 ballë në det të hapur.
Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian, në orët e mesditës./s.s./