English

Admirali Fitzgerald Vlerëson Reformat E Qeverisë Që Bënë Të Mundur Anëtarësimin E Shqipërisë Në Nato

-Kryeministri Berisha priti sot në një takim Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admiralin Mark Fitzgerald - TIRANË, 2 Qershor/ATSH/.- Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admirali Mark Fitzgerald, vlerësoi sot në një takim të zhvilluar me Kryeministrin Sali Berisha, "arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe në reformat e thella e gjithëpërfshirëse, të cilat bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën politike ushtarake më të suksesshme të kohërave". "Ne jemi krenarë për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me ju. Kush mund ta mendonte 20 vjet më parë që Shqipëria do të ishte anëtare e plotë e NATO-s", u shpreh Admirali Fitzgerald. Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se kreu i qeverisë i shprehu Admiralit Fitzgerald mirënjohjen më të thellë të qeverisë shqiptare për kontributin e madh që ky mision dha gjatë kësaj periudhe për reformën në sektorin e mbrojtjes dhe në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha vlerësoi lart punën e bërë nga të gjithë drejtuesit e misionit gjatë kësaj periudhe nga vende të ndryshme aleate të NATO-s dhe falënderoi vendet anëtare për mbështetjen që i dhanë punës së zyrës së Prezencës së NATO-s në Shqipëri. Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në Napoli, Admirali Mark Fitzgerald i konfirmoi Kryeministrit Berisha vijimësinë e mbështetjes si në reformimin dhe transformimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, ashtu edhe në integrimin e plotë të vendit në të gjitha strukturat e programet e Aleancës. Në këtë kontekst, ai vlerësoi punën e jashtëzakonshme që po bëhet nga qeveria shqiptare për transformimin e FA në ushtri profesioniste, përgatitjen dhe modernizmin e tyre, sipas standardeve të NATO-s, rezultatet e rëndësishme të kësaj periudhe për shkatërrimin e arsenaleve të vjetra të rrezikshme, të mbetura në Shqipëri nga koha e komunizmit dhe në veçanti për kontributin e Shqipërisë në misionet e aleancës në shërbim të paqes. Admirali Fitzgerald i pohoi Kryeministrit Berisha angazhimin e plotë të komandës që ai drejton dhe të NATO-s për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë shqiptare në të gjitha aspektet e transformimit të sektorit të mbrojtjes. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e njohu Admiralin me punën intensive që po bëhet në të gjitha aspektet e reformës në FA dhe në veçanti për sa i përket objektivit të shndërrimit përfundimtar të FA në forca tërësisht profesioniste, të standardeve të NATO-s, si dhe vazhdimin e mbështetjes financiare të gjithanshme të qeverisë shqiptare për këtë qëllim. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, ku në veçanti u vlerësua kontributi i rëndësishëm i KFOR-it në Kosovë./s.s./
KOMENTE