Arrestohet Një I Shumëkërkuar Për Shfrytezim Prostitucioni Në Itali
TIRANE, 2 Qershor/ATSH/.- Një 38 vjeçar, i shumëkërkuar për shfrytëzim prostitucioni në dëm të disa shtetaseve në Itali, u arrestua sot në një operacion të Policisë së Tiranës.
Burime zyrtare nga Policia e Qarkut bënë të ditur sot se, forcat e seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve dhe ato të Komisariatit të Policisë nr.6 Tiranë, mundësuan arrestimin e të shumëkërkuarit Artur Doko, 38 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, sipas policisë, akuzohet nga Drejtësia italiane për veprën penale të "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, të kryer në bashkëpunim, në dëm të disa personave", për të cilën është dënuar me 7 vjet burgim, dënim ky i njohur nga gjykatat shqiptare.
38 vjeçari Doko akuzohet se përgjatë periudhës së viteve 1998 deri në vitin 2001, ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Milano të Italisë, rreth 10 shtetase kryesisht kosovare, rumune, moldave dhe shqiptare. Nga hetimi ka rezultuar se Doko u siguronte të dëmtuarave apartamente dhe dokumenta të falsifikuara qëndrimi në Milano të Italisë, ku nëpërmjet tyre realizonte dhe shfrytëzimin për qëllime përfitimi.
Nga të njëjtat burime mësohet se arrestimi i tij u mundësua në ambientet e një banese në Vorë, Tiranë. /a.m/s.s./