English

Bashkimi Europian Ripërsërit Angazhimin E Tij Ndaj Perspektivës Europiane Të Ballkanit Perëndimor

- Përfundon Takimi i Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor në Sarajevë - TIRANE, 2 Qershor/ATSH/.- Bashkimi Europian ripërsëriti sot angazhimin e tij pa ekuivok ndaj perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, e cila mbetet thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni. "E ardhmja e Ballkanit Pererndimor është në Bashkimin Europian", u theksua në deklaratën përfundimtare të Takimit të nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua sot në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, ku mori pjesë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë Takimit, i cili u zhvillua në kuadër të 10-vjetorit të Samitit të Zagrebit, u vlerësua progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit evropian, si dhe u rikonfirmua perspektiva e qartë evropiane e këtyre vendeve, si një element thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të rajonit. Në deklaratën e përbashkët pas Takimit, u mirëprit gjithashtu edhe Propozimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Takimi konstatoi hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, i cili përfaqëson një etapë të re në procesin e ndërtimit Europian, duke siguruar mjetet dhe instrumentet për forcimin e rolit të tij si aktor global. BE-ja riafirmoi nevojën për kondicionalitet të drejtë dhe rigoroz në kuadrin e procesit të Stabilizim -Asociimit dhe në përputhje me konsensusin e ripërtërirë mbi Zgjerimin, të miratuar nga Këshilli Europian në Dhjetor 2006. Në Deklaratë theksohet se vendet e rajonit kanë bërë progres të rëndësishëm në reformat politike dhe ekonomike, çka e tregojnë bisedimet e vazhdueshme për antarësim, përgatitja e Opinioneve mbi kërkesat për anëtarësim dhe krijimi i një rrjeti Marrëveshjesh Stabilizim- Associimi. Deklarata kërkon që Ballkani Perendimor të intensifikojë përpjekjet e tij për të përmbushur kriteret e nevojshme të përcaktuara dhe kushtet e rëna dakord në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, pasi progresi i secilit vend do të jetë në vartësi të meritave të tij. Në veçanti, thuhet në këtë Deklaratë, Ballkani Perendimor vazhdon të ndeshet me sfida madhore që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, si me reformat administrative dhe të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat janë çështje kyçe për një demokraci dhe ekonomi funksionale dhe kushtëzojnë në një masë të madhe procesin e antarësimit në BE. Në Deklaratë theksohet se pjesëmarrësit nga Ballkani Perendimor u angazhuan për të intensifikuar përpjekjet e tyre në trajtimin e këtyre çështjeve. Krijimi i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, vlerësohet në këtë Deklaratë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt gjithëpërfshirjes dhe pronësisë rajonale. Tashmë për RCC-në është e nevojshme të përmirësojë efikasitetin e saj nëpërmjet zbatimit të një strategjie të orientuar nga rezultatet, e cila të përcaktojë linja të qarta veprimi lidhur me përparësitë dhe të sigurojë bazën për koordinimin e nismave të ndryshme në rajon. Miratimi i kësaj strategjie nga Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive të Vendeve Anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore në Samitin e Stambollit më 23 Qershor do të forcojë lidhjet politike ndermjet këtyre dy organizatave. Bashkëpunimi rajonal kontribuon në nxitjen e pajtimit, marëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe një klime, e cila ndihmon në trajtimin e çështjeve të hapura dypalëshe, konsatohet në këtë Deklaratë. Pjesëmarrësit inkurajuan palët e interesuara që të investojnë përpjekjet e tyre më të mira në trajtimin e çështjeve të hapura dypalëshe me frymë europiane. Pjesëmarrësit theksuan përparësinë madhore të përfundimit të procesit të pajtimit në Ballkanin Perendimor. Ata përshëndetën nismat e lavdërueshme të kohëve të fundit në këtë drejtim. Këto përpjekje duhet të bëhen në të gjitha nivelet - qeveri, gjyqësor dhe shoqërinë civile. Pjesëmarrësit vlerësuan rolin dhe punën e OJQ-ve për pajtimin nëpërmjet krijimit të një komisioni rajonal për të kërkuar dhe për të thënë të vërtetën. Pjesëmarrësit përshëndetën gjithashtu synimin e BE-së për ta shtrirë liberalizimin e vizave tek të gjithë popujt e Ballkanit Perendimor, sapo të jenë plotësuar kushtet. Në këtë drejtim, ata mirëpritën propozimin e Komisionit Europian për të shtrirë regjimin pa viza edhe tek shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnjë Hercegovinës. Takimi u mbajt në sfondin e rënies globale ekonomike, e cila ka prekur edhe Ballkanin Perendimor si dhe të përpjekjeve të rajonit për zbatimin e politikave makroekonmike dhe financiare, të cilat synojnë parandalimin e krizave në të ardhmen dhe të nxisin një rritje ekonomike të ekuilibruar dhe të qëndrueshme. BE-ja, thuhet në Deklaratë, do të vazhdojë t'i ndihmojë ata për të zbutur ndikimin e krizës e për t'u përgatitur për një rimëkëmbje të shëndetshme. Në këtë drejtim, zbatimi i reformave që kanë lidhje me BE mbështetet në përpjekjet e këtyre vendeve. Në këtë kuadër, në Deklaratë kërkohet përcaktimi dhe ndjekja e një strategjie rajonale për rimëkëmbje dhe zhvillim; ajo duhet të ecë në linjat e parametrave kryesorë të Strategjisë së BE-së 2020, bazuar në dije dhe novacion si dhe duke marrë parasysh karakteristikat e veçanta të vendeve të Ballkanit Perendimor. Ndërkohë, BE-ja ripërsëriti mbështetjen e saj të plotë për Ballkanin Perendimor në përpjekjet e tij për intensifikimin e ritmit të reformave. BE-ja pret me vëmendje dhe interes që Ballkani Perendimor të lëvizë në etapat e reja të procesit të aderimit, mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe kushteve për të cilat është rënë dakord. Anëtarësimi i Ballkanit Perendimor në BE mbetet objektivi ynë i përbashkët, thuhet në këtë Deklaratë. /s.s./
KOMENTE