Be-Ballkan - Suedia Dhe Italia Shprehen Në Favor Të Rajonit
SARAJEVË, 2 qershor /ATSH-AFP/ - Suedia dhe Italia u kërkuan 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të konfirmojnë që dyert e bllokut janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë mbledhjes BE-Ballkan që po zhvillohet sot në Sarajevë.
"Mbledhja e Sarajevës duhet të garantojë me forcë se dyert e BE-së janë të hapura për vendet e rajonit", i deklaroi shtypit ministri i Jashtëm suedez dhe ish-përfaqësues i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Carl Bildt.
"Ka disa vende anëtare të BE-së ku entuziazmi për zgjerimin është rritur kohët e fundit në më tepër se 100 për qind. Është e rëndësishme që kemi ardhur këtu për të konfirmuar dhe për të thënë se dera është e hapur", shtoi ai.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë fshehur ditët e fundit se dyshojnë për një dekurajim në rritje të evropianëve përballë zgjerimit të BE-së, për shkak të krizës financiare që ajo po kalon.
Shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini, e ftoi BE-në të manifestojë "bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë një angazhim shumë ambicioz" ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Pres që Evropa të mos ngurrojë në konfirmimin e angazhimit të saj", deklaroi Fratini, i cili parashikon të bëjë "një apel politik" për këtë qëllim drejtuar zyrtarëve evropianë.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, bashkë me komisinerin evropian për Zgjeriin, Stefan Fule, si dhe disa ministra të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, ndodhen në Sarajevë.
Kjo mbledhje mbahet me rastin e 10-vjetorit të samitit të Zagrebit ku evropianët kanë njoftuar perspektivat e tyre për anëtarësimin evropian të Ballkanit Perëndimor, pikërisht pas konflikteve të përgjakshme të viteve '90.
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, i cili nuk merr pjesë në mbledhje i ftoi sot vendet e rajonit "të kthejnë faqen e një të kaluare të dhimbshme për të ecur përpara drejt Evropës", në një intervistë për të përditshmen serbe "Veçernje Novosti".
/I.Pu.