Berisha: Brenda 2010 Do Përfundojnë Së Asflatuari Të Gjitha Rrugët Që Zbresin Drejt Detit
- Kryeministri Sali Berisha inauguron dy rrugë në zonën e Kavajës -
TIRANË, 2 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha duke përuruar dje përfundimin e punimeve në dy segmente rrugore në zonën e Kavajës, garantoi banorët se "brenda vitit 2010 do të përfundojë asfaltimi i të gjitha rrugëve që zbresin drejt detit".
Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kreu i Qeverisë përuroi dje përfundimin e fazës së dytë të rrugës së bregdetit, që lidh Spillenë me Kavajën, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 300 milionë lekë.
Kjo rrugë, e ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohore, ka gjatësi 15 km dhe gjerësi 7,5 metra dhe është e pajisur në të dyja anët me trotuare dhe ndriçim. Gjithashtu, u inaugurua edhe rruga e brendshme e fshatit Luz me gjatësi 1 kilometër dhe vlerë 31 milionë lekë.
Gjatë takimit me banorë të Luzit, Kryeministri e vlerësoi rrugën si një mbështetje të fuqishme të turizmit të Kavajës dhe u shpreh se "me investimet e realizuara, infrastruktura e fshatrave të bregdetit bëhet një ndër infrastrukturat më moderne".
Ai garantoi banorët se "qeveria do të asfaltojë çdo rrugë të këtij rrethi dhe se do të mbështesë të gjithë projektet e paraqitura nga drejtuesit e pushtetit lokal, që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e zonës".
"Investimet në rrethin e Kavajës gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë kanë qenë 13 herë më të mëdha se sa gjatë qeverisjes së mëparshme. Kombi me sytë nga deti është motoja jonë dhe ne këtë po e bëjmë realitet", tha Kryeministri Berisha.
Qeveria, u shpreh Kryeministri, "do të bëjë çdo gjë që Kavaja të qëndrojë në krye të përpjekjeve për integrimin e saj dhe të Shqipërisë në BE".
"Vendimi i KE-së për heqjen e vizave përbën vendimin më miqësor dhe më të rëndësishëm që Evropa ka marrë ndonjëherë në tërë historinë e kombit tonë. Reformat e ndërmarra nga qeveria morën shpërblimin më të merituar", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi se "Qeveria po e shndërron procesin e integrimit në reforma, infrastrukturë moderne, rrugë dhe shkolla të reja, si dhe në zona të reja turistike". "Ne po e shndërrojmë këtë proces në heqje vizash dhe në lëvizje të lirë për mbarë qytetarët shqiptarë", tha ai./m.m//s.s./