English

Berisha: Investimi Për Reformën Në Arsim, Potencial Për Zhvillimin E Vendit

- Gjatë Konferencës Kombëtare për Mësuesinë - TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Erla Gjikolli/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot, se "te investimi në reformën arsimore qëndron i gjithë potenciali për zhvillimin e këtij vendi". Në Konferencën Kombëtare për Mësuesinë që u zhvillua në Hotel "Tirana International", Kryeministri theksoi se "reforma arsimore nuk udhëhiqet nga interesa elektorale, por nga kushti themelor që kombi ynë të shkruajë kapitullin e së ardhmes së tij, siç e meriton". Në fjalën e tij, Berisha tha se "dyfishimi i pagave të mësuesve është një nga vendimet më të vështira të ndërmarra nga qeveria". "Ne do të bëjmë çdo gjë që mësuesit të mund të përmbushin misionin e tyre të madh", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, "reforma në arsim duhet të jetë 'perpetua mobile', pasi nuk duhet të kënaqemi ndonjëherë me ato që kemi arritur, por duhet ti shohim thjesht si stacion për horizontin e ri". "Në këtë reformë, në këtë investim qëndron i gjithë potenciali për zhvillimin e këtij vendi. 20 vjet më parë, Shqipëria renditej ndër 3-4 vendet më të varfra të planetit. Në këto 20 vite ne u shkëputëm nga grupi i vendeve të varfra, por kemi rrugë të madhe për të bërë për të kapur orbitën e vendeve të zhvilluara", tha Kryeministri Berisha. Rruga më e sigurtë për arritjen e këtij qëllimi, sipas Kryeministrit Berisha "është investimi në arsim". Ai nënvizoi se "në këtë investim rëndësi kapitale ka pregatitja e mësuesve, por po kaq e rëndësishme është edhe raporti që mësuesit kanë me nxënësit". (vijon)/m.m/
KOMENTE