English

Berisha: Liberalizimi I Vizave, Një Proces I Pandalshëm

- Kryeministri Berisha deklaron se "reformat qëndrojnë në bazë të vendimit për liberalizimin e vizave - TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha garantoi sot, se procesi i liberalizimit të vizave është i pandalshëm, ndërsa theksoi se reformat qëndrojnë në bazë të këtij vendimi. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha përsëriti qëndrimin se "qeveria shqiptare kërkon që ky proces të bazohet në meritën dhe perfomancën e punës së saj". "Rekomandimi i KE-së për heqjen e vizave për Shqipërinë është një vendim historik, që përbën arritjen më madhore në historinë e vendit pas shpalljes së pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO. Për një komb që ka vuajtur izolimin për 45 vite me radhë, heqja e vizave përbën realizimin e aspiratave të tij", tha Kryeministri Berisha. Reformat e kësaj qeverie, sipas tij, e shndërruan në realitet këtë vendim historik. "Komisionerja Malstrom deklaroi se Shqipëria ka arritur rezultate të rëndësishme impresionuese në të gjitha fushat të cilat bënë të mundur këtë vendim", tha Kryeministri Berisha. Ai tha se "heqja e vizave është rezultat i luftës me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit". Lufta ndaj krimit të organizuar, sipas Kryeministrit Berisha, "bëri që në një kohë rekord, Shqipëria që ishte vendi më i pasigurt në Europë të ketë tregues kriminaliteti nën mesataren e vendeve anëtare të BE-së". "Ata të cilët qortojnë, përse Shqipëria po përpiqet tani për liberalizimin e vizave, dua tu them se, muri i krimit që ngritët, po mbyllte dyert e Europës për Shqipërinë dhe shqiptarët. 8 vite me radhë ata kënduan vetëm ison e çertifikatave dhe nuk ishin në gjendje të prodhonin një pasaportë të vetme biometrike, apo kartë biometrike. Nuk ka pasur proces më të vështirë për ne, se sa të bindim të tjerët për reformat e këtij vendi", tha Berisha. Heqja e vizave, sipas tij "është rezultat i luftës serioze që qeveria i bëri korrupsionit". "Ne nuk kemi thënë ndonjëherë se do të ç'rrënjosim korrupsionin, pasi për fatin e keq, kjo është një sëmundje e tmerrshme, që nuk ç'rrënjoset dot. Nuk ka imunitet ndaj tij, por në mënyrën më serioze dhe me vullnet të hekurt ne i kemi faktuar shqiptarëve dhe botës sukseset e luftës kundër korrupsionit", tha Kryeministri. Ai vuri në dukje se "heqja e vizave është rezultante e reformave të thella që bëri qeveria për gjendjen civile dhe identitetin e qytetarëve". "Këto reforma mund të ishin bërë edhe 7 vite më parë, pasi nuk ka pasur pengesa, por nuk ka patur dëshirë dhe vullnet për to", tha Kryeministri Berisha. Në bazë të suksesit të reformave, sipas Kreut të Qeverisë, është "shteti ligjor dhe funksionimi i tij". Kryeministri theksoi se "funksionimi i shtetit ligjor solli zhvillimin e zgjedhjeve më të mira në historinë e vendit, të cilat vendosën disa standarde unike"./n.m/
KOMENTE