Berisha: Rama Të Lexojë Me Realizëm Deklaratat E Ndërkombëtarëve
- Kryeministri Berisha thekson se institucionet europiane nuk japin ultimatume, por janë në sintoni të plotë me qëndrimet e tyre -
TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha i kërkoi sot kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që të lexojë me realizëm deklaratat e ndërkombëtarëve, ndërsa theksoi se "institucionet europiane nuk japin ultimatume, por janë në sintoni të plotë me qëndrimet e tyre".
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha tha se "vetëm leximi me realizëm i deklaratave të ndërkombëtarëve do t'i bëjë të mundur Edi Ramës që të përfitojë maksimalisht të gjitha ato që i takojnë".
"I kërkoj sot kryetarit të opozitës që në interesin e tij më të mirë, të heqë gjyslyket e të shkuarës, me të cilat lexon mesazhet e miqve dhe institucioneve ndërkombëtare. E bëri këtë me Këshillin e Europës kur e shpalli rezolutën e Këshillit si një letër të pavlerë, me qëndrimin që mbajti", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë qartësoi se "në takimin e Strasburgut nuk është kërkuar asgjë që bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet dhe vendimet e gjykatave të vendit dhe nuk është dhënë asnjë ultimatum".
Europa, tha Kryeministri Berisha, "është për shtetin ligjor dhe institucionet europiane nuk mund të kuptojnë kurrë kur thuhet se nuk pranoj pikën 'x' apo 'y' të një ligji". Ai shtoi se "koha kur në këtë vend, individët qëndrojnë mbi ligjin, është koha më e zezë e këtij vendi".
"Ne përkulemi para ligjit, pavarësisht nga karrigia ku ulemi", tha Kryeministri Berisha.
Ai u shpreh i hapur për dialog me opozitën, pasi respektimi i opozitës është obligimi që ka qeveria. Kryeministri ftoi z. Rama që të përfitojë nga dialogu dhe vullneti i qeverisë, që ka vendosur jashtë çdo lloj tagri, të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar, pa asnjë detyrim ligjor.
"Për të njëjtin motiv ne kemi vendosur ti japim opozitës kryetarin e këtij komisioni dhe shumicën në votim. Ne kemi vendosur t'i japim opozitës të drejtën të hartojë të gjitha amendamentet për zgjedhjet e reja dhe maxhoranca ti votojë ato pa kushte, vetëm pasi të merret një opinion nga Venecia dhe ODIHR-i", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "kjo maxhorancë nuk ka në konceptin e saj kundërshtarin armik".
Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "edhe pse vendi njohu kampusin 19 ditor para ndërtesës së kryeministrisë dhe parlamentit, u respektua tërësisht e drejta e kundërshtarëve për të protestuar".
"Shteti ligjor funksionoi gjatë gjithë kohës dhe nuk u ndërpre asnjëherë dialogu me opozitën, por dyert e dialogut me të mbetën të hapura", tha Kryeministri Berisha./n.m/