Tiranë, 2 Qershor 2010 NOA/ Rajmonda Lajthia - Për të disatën herë komuniteti i biznesit i drejtohet politikës që të miratojë pa hezitim Gjykatën Administrative, e cila do ti hapte rrugë zgjidhjes së konflikteve mes sipërmarjeve private dhe jo vetëm. Fondet për realizimin e këtij projekti janë dhënë nga USAID, konkretisht nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit, nga SHBA, por prej dy vitesh ato kanë mbetur pezull për shkak të konflikteve të poetikës dhe rrezikojnë të digjen.
Plot 35 organizata të biznesit dhe të shoqërisë civile që bëjnë pjesë në Koalicionin në Përkrahje të Gjykatave Administrative, i kërkojmë Parlamentit shqiptar që të marrë në shqyrtim në seancë plenare dhe të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative, duke qene se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit theksohet se projekt-ligji për Gjykatat Administrative që ka në dorë Parlamenti shqiptar gëzon përkrahjen e plotë të komunitetit të biznesit dhe është përgatitur me mbështetjen e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Evropian dhe qeveria amerikane.
Përfaqësues të këtyre programeve kanë përkrahur publikisht krijimin e Gjykatave Administrative në Shqipëri. “Siç e kemi theksuar edhe më parë, miratimi i ligjit do t’i hapë rrugën ngritjes së sistemit të Gjykatave Administrative, një institucion, të cilin bizneset dhe qytetarët shqiptarë e kërkojnë që prej gjashtë vjetësh.
Ngritja e Gjykatave Administrative do të sjellë përfitime konkrete dhe të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht për bizneset, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive” thuhet në këtë kërkesë.
Krijimi i këtyre gjykatave do të mbështesë edhe reformën në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare në këtë fushë.
Për këtë qëllim, koalicioni pro ngritjes së Gjykatës Administrative do ta vlerësonte nëse Kryetarja e Parlamentit do të marrë nismën për ta vendosur këtë projekt-ligj në rendin e ditës së seancave plenare për muajin qershor dhe kërkon edhe opozitën që të votojë.
r.n/NOA