Korçë, 2 Qershor, NOA – Plot 110 mijë euro është shuma që dy persona i kanë marrë në formë borxhi një të treti, me deklaratë noteriale përkatëse që në vitin 2008, duke premtuar se do t’ia kthenin këto para brenda një viti, por po i shmangen detyrimit.
Në të tilla kushte, personi që ua ka dhënë këtë shumë të konsiderueshme parash është detyruar t’i denoncojë në polici, ndërsa organet kompetente kanë nisur të kryejnë veprimet hetimore proceduriale në gjendje të lirë ndaj tyre, për veprën penale te “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.
I pari mësohet se është Rajmond Gjergjefi, 54 vjeç, banues në Bilisht, i cili në vitin 2008, i ka marrë kundrejt një deklarate noteriale, shumën prej 60.000 euro personit me iniciale D.M, për t’ia kthyer një vit më vonë.
Por edhe pse afati ka kaluar, ai po i shmanget pagimit, ndërsa materialet rreth tij i kaluan tashmë prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Ndërsa personi i dytë i përfshirë në këtë ngjarje është Ilirjan Metaj, 40 vjeç, banues në Fier, që gjithashtu në vitin 2008, i ka marrë kundrejt një deklarate noteriale, shumën prej 50.000 euro, por edhe 21 milionë lekëvsh, të njëjtit person për t’ia kthyer një vit më vonë, por edhe ai po i shmanget detyrimit.
n.e/NOA