English

Durrës: Nis Restaurimi I Mozaikut Vertikal Në Kapelën E Amfiteatrit Antik

DURRËS, 2 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ -Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të Durrësit, kanë nisur sot restaurimin konservues të mozaikut të punuar vertikalisht në kishëzën bizantine të amfiteatrit antik të Durrësit. Restauratori Agron Islami tha për ATSH-në se ndërhyrja "synon pastrimin e të gjithë sipërfaqes së mozaikut mesjetar nga dëmtimet që shkaktoi lagështira e dimrit të këtij viti". Sipas tij, ndërhyrja pastruese konservuese kërkon të rikthejë imazhin artistik të mozaikut me gjashtë figura ikonografike, datimi i së cilës nuk është përcktuar ende saktësisht. Ky është i vetmi mozaik vertikal në të gjitha zbulimet antike dhe mesjetare jo vetëm në Durrës, por në të gjithë vendin tonë. Amfiteatri antik i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu Vangjel Toçi dhe grupi i drejtuar prej tij. Ndërtimi i tij sipas specialistëve i përket fundit të shekullit të parë të erës sonë, ndërsa kapela dhe disa varre monumentale e të tjera më modeste brenda mjediseve të galerive e shkallareve janë ndërtuar pas shekulit të pestë, atëherë kur u vendos ndalimi i shfaqjeve të përgjakshme të gladiatorëve dhe kafshëve, çka detyroi edhe ndryshimin e destinacionit të arenës në formë ovale. Përmasat e diametrave të tij elipsoidalë shkojnë nga 60 deri në 120 metra, ndërsa mendohet se shkallaret e tij mirëprisnin deri në 20 mijë spektatorë njëherazi./ch/
KOMENTE