Ekon- Kriza Financiare Globale Përkeqësoi Kushtet E Financimit Të Obligacioneve
TIRANE 2 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Kriza financiare globale përkeqësoi kushtet e financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, deklaroi eksperti i Bankës Botërore, John Balafoutis në referencën e tij "Kushtet e tregut të ri ndërkombëtar të emetimit të obligacioneve shtetërore" gjatë Konferencës së II "Shqipëri-Banka Botërore për ekonominë e zhvillimit" që po zhvillohet për gjatë dy ditëve në Tiranë.
"Emetimi i borxhit të jashtëm u ndërpre si pasojë e mospëlqimit në rritje ndaj riskut dhe kostove më të larta të huamarrjes", theksoi Balafoutis.
Sipas tij, rrjedhje të mëdha të kapitalit e rritën sfidën ndaj menaxherëve të borxhit sidomos në vende që vazhdojnë të varen nga financimet e jashtme.
John Balafoutis tha se emetimi i obligacioneve në tregjet ndërkombëtare të kapitalit zgjeron dhe diversifikon burimet e financimit dhe bazën e investitorëve.
"Tregjet e brendshme të kapitalit mund të mos jenë shumë të zhvilluara, dhe në këtë mënyrë kostot në tregjet ndërkombëtare mund të jenë më të ulëta , likuiditeti më i madh, ndërsa maturitetet më të gjata", tha Balafoutis.
Duke renditur disa nga arsyet dhe përfitimet, Balafoutis tha se emetimi i një obligacioni shtetëror vendos një pikë referimi për emetime të mundshme në të ardhmen nga sektori privat, gjithashtu mund të përforcojë stimujt për të ruajtur disiplinën makroekonomike.
Eksperti i Bankës Botërore u shpreh se faktor kyç për emetimin e suksesshëm të obligacioneve është hartimi i një plani dhe zbatimi me kujdes i tij për investime.
Duke folur për kushtet e tregut deri në prill të vitit 2010 Balafoutis, tha se ka patur një vëllim rekord emetimesh.
"Deri në muajin prill 2010 u shënuan 25 emetime të reja nga huamarrës që i plotësojnë kushtet e IBRD-së dhe IDA-s me vlerë 36 miliardë dollarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2009 ishin 13 emetime të reja me vlerë 15 miliardë dollarë", tha eksperti i BB-së, Balafoutis.
Në këtë periudhë, tha ai, emetuesit mundën të emetojnë me fitime absolute të ulëta dhe maturitet të zgjatur. Ai tha se në pjesën e mbetur të vitit 2010 priten prurje të mëdha nga fondet e dedikuara të obligacioneve të cilat vazhdojnë të kenë shumë para dhe mezi presin të kenë interesa me fitime në rritje.
Ndër risqet potenciale të emetimit në shkallë ndërkombëtare, Balafoutis renditi ekspozimin ndaj riskut të kursit të këmbimit të monedhave të huaja për shkak të mospërputhjeve në monedha, ashtu si edhe faktin se kushtet e financimit të jashtëm mund të ndryshojnë me shpejtësi duke çuar në "mbartje" apo risqe rifinancimi./a.gj/