English

Fushata antikanabis, drejtori i përgjithshëm i Policisë zbret në Lazarat

Lazarat, 2 Qershor, NOA – Në kuadrin e fushatës antikanabis të ndërmarrë në gjithë vendin si edhe inspektimeve të ndërmarra nga ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, kryesisht në komunën e Lazaratit, ka zbritur në këtë zonë vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj.

Gjatë një takimi të posaçëm me strukturat lokale si edhe banorë të Lazaratit, ai ka theksuar se “situata në të gjithë territorin e vendit është e kënaqshme dhe nën kontroll, por s’duhet të mjaftohemi me kaq”.

Kjo pasi, sipas tij, muaji qershor është vendimtar në fitoren e kësaj sfide.

“Për këtë, së shpejti do vihet në funksionim edhe sateliti dhe helikopterë të pajisur me mjete vëzhgimi speciale, të cilat do të monitorojnë çdo territor të vendit tonë”.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë analizës së punës është ndalur edhe në luftën që duhet bërë ndaj korrupsionit në të gjitha fushat, si në mjekësi, arsim, tendera, apo edhe brenda radhëve të policisë në rast se konstatohen raste të korrupsionit, pra kudo ku të shfaqet fenomeni i korrupsionit.

Ai ka theksuar se në kuadrin e kësaj po bashkëpunon dhe do të bashkëpunojë ngushtë më Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm me të vetmin qëllim, atë të një policie të pastër e të sigurt, për një polici që të jetë e denjë e të reflektojë respekt e siguri dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.

n.e/NOA

KOMENTE