Berlin, 2 qershor, NOA – Robert Schuman një nga kompozitorët më të mëdhenj të romanticizmit gjerman, lindi 200 vjet më parë, më 8 qershor 1810. Ai ka lënë pas një vepër të gjerë, nga pjesët e vogla për piano deri në sinfonitë e mëdha.
Robert Schumann u mendua gjatë që të bëhej muzikant apo poet. Që fëmijë ai shkroi shumë dhe mbajti një ditar. Nga i ati ai trashëgoi dashurinë për letërsinë. August Schumann e karakterizonte veten si "homme de lettre", ai shkroi romane, gëzonte një emër të vlerësuar lart si përkthyes dhe zotëronte një bibliotekë të pasur.
Nëna e Robertit konsiderohej se kishte prirje të forta muzikore. Në moshën shtatëvjeçare, Roberti mori orën e parë të mësimit për piano, shkroi kompozime të shkurtra, por edhe hartime, poezi dhe fragmente romanesh. Në atë masë që ishte rrënjësor shkollimi bazë i Schumann - ai mësoi latinisht, greqisht, frëngjisht dhe konsiderohej si talent i veçantë për gjuhët - në atë masë mbeti amatoresk shkollimi i tij muzikor. Shpejt ai arriti të luajë piano më mirë se mësuesi i tij dhe prandaj e vazhdoi si autodidakt mësimin e pianos.
Përsa i përket zgjedhjes së profesionit: ai kërkonte një punë me taban, me të cilën ta kishte të ardhmen e siguruar. Babai i Schumann-it pati vdekur herët, e ëma dhe kujdestari i caktuar për të vendosën që ai të bëhej jurist. Schumann-i u largua nga qyteti i tij i lindjes Cvikau (Zwickau) dhe filloi studimet në Lajpcig (Leipzig). Por jeta në këtë qytet kishte një efekt krejt tjetër nga ai i synuari. Qyteti i panairit dhe i librave, me shtëpitë botuese me emër Brockhaus, Reclam dhe Breitkopf e mrekullonte Schumann-in e ri gjithnjë e më shumë. Ai vizitonte rregullisht koncertet në sallën e koncerteve të qytetit dhe së fundi - në vend të mësimeve të fakultetit juridik nisi të marrë sërish mësime për piano: te Friedrich Vieck, vjehrri i tij i mëvonshëm.
Veç kësaj, tani ai u përqendrua në mësimin e teknikave të reja të kompozimit dhe themeloi së bashku me Friedrich Wieck-un "Revistën e re për muzikën", e cila ekziston edhe sot. Që Roberti dhe e bija e Wieck-ut, Clara u miqësuan në këtë kohë me njëri-tjetrin, kjo i pëlqeu më pak babait ambicioz. Ai u përpoq me të gjitha mjetet që ta pengonte këtë lidhje. Me rezultatin, që të dyve iu desh ta fitonin më 1840 me vendim gjyqi lejen për t'u martuar.
Katër vjet çifti jetoi në Lajpcig. Martesa me Clarën i dha krahë Robertit. Shpejt ai shkroi cikle me këngë, pjesë për kuartete harqesh, vepra për piano dhe sinfonitë e para, koncertin për piano në a-moll, oratoriumin "Parajsa dhe zana", ciklet "Dashuri poeti" dhe "Qarku i këngëve", "Skenat për fëmijë" dhe albumin për rininë. Robert Schumannin e emëruan doktor nderi të universitetit të Jenës, më në fund ai kishte arritur të triumfonte si kompozitor.
Çifti Schumann mbante në Lajpcig kontakt të ngushtë me Felix Mendelssohn Bartholdy-n, të cilin Schumanni e emëroi mësues në Konservatorin e Lajpcigut. Por pjesët e vetë Schumann-it në këtë periudhë nuk kishin më edhe kaq sukses - Ludvig van Beethoveni, Felix Mendelssohn Bartholdy dhe Frederic Chopin-i përshtateshin më mirë me frymën e kohës. Edhe Clara e luante në koncertet e saj muzikën e tij e shumta si pjesë për biz (në fund të koncerteve).
Kjo ishte një ulje dinjiteti për Robert Schumann, e cila përkeqësohej edhe më tej nga fakti që në udhëtimet koncertale atë e perceptonin vetëm si bashkëshort të pianistes së njohur në të gjithë Evropën. Si një rreze drite u duk këtu thirrja për të shkuar në Dyseldorf (Düsseldorf), si Drejtor Muzikor i Qytetit.
Sinfonia e 3-të e Schumann-it, "Renania". Entuziazmi fillestar i Schumann-it për Rajonin e Rinit u shua shpejt. Posti i Drejtorit të Muzikës nuk ishte i përshtatshëm për Schumannin.
Dyseldorfasit patën kërkuar një dirigjent dhe morën një kompozitor. Dhe ai e kishte të vështirë ta bindte për mendimin e tij orkestrën.
Dirigjenti dritëshkurtër e humbi me plot kuptimin e fjalës kontrollin mbi orkestrën, udhëzimet e tij të shqiptuara shpesh në dialektin e fortë të Saksonisë, orkestra nuk mund ose nuk donte t'i kuptonte. Kësaj iu shtua edhe një lloj arrogance e Claras ndaj dyseldorfasve.
Megjithë aktivitetet koncertale: Schumann-ët mbetën persona të paintegruar. Shenjat e depresioneve dhe të manive te Robert Schummann-i tani u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Shpesh ai rrinte gjithë natën zgjuar dhe ankohej se në kokë i buçisnin pjesë të tëra orkestrale. Megjithatë, në katër vjetët e tij në Dyseldorf ai shkroi një të tretën e gjithë veprës së tij: midis të tjerash, Koncertin sot të famshëm në botë për Violonçel, Koncertin për Violinë, Meshën op.47 dhe "Rekuiem"-in.
Pas kësaj edhe një rreze tjetër drite. Johannes Brahms-i i viziton Schumann-ët në Dyseldorf. Roberti entuziazmohet nga pianisti dhe kompozitori i ri dhe i shtron atij rrugën për karrierën muzikore.
Por Schumann kalon gjithnjë e më tepër në një gjendje problemesh mendore. Më 27 shkurt 1854, në një moment kur nuk e pa njeri, ai doli nga shtëpia. Është e Hëna e Karnavaleve, gjithë Rajoni i Rinit feston karnavalet. Askujt nuk i bie në sy burri, i cili ecën drejt Rinit, ngjitet mbi kangjella dhe hidhet në lumë.
Schumann e shpëtojnë, por dy vitet e mëpasme të fundit të jetës ai i kalon në një spital në Bonn.
Tani, me rastin e 200-vjetorit, janë organizuar shumë aktivitete përkujtimore për jetën e tij. Në qytetin e tij të lindjes në Cvikau një seri koncertale dhe një konkurs për piano kujtojnë veprën e Schumann, në Dresden, në Lajpcig dhe në Dyseldorf, në qytetet ku Schumann-i jetoi, një numër i madh koncertesh dhe disa ekspozita kujtojnë krijimtarinë e tij.
DVelle