Athinë, 2 Qershor 2010 NOA – Një shqiptar i dyshuar për grabitje bankash ka marrë arratinë nga mjediset e Prokurorisë së Athinës ku po merrej në pyetje nga një prokuror, raporton korrespondenti i agjencisë NOA. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në prokurorinë e Kolonasë në Athinë dhe i arratisuri është një 28-vjeçar shqiptar i arrestuar nën dyshimet se ishte i përfshirë në një seri grabitje bankash në Greqi.
Në momentet që ndodhi arratisja, në dhomën e marrjes në pyetje gjendej një prokuror dhe i arrestuari. Më herët, avokati i të dyshuarit kishte kërkuar që gjatë seancës së marrjes në pyetje, të mos kishte policë, për shkak të sekretit hetimor të çështjes, ndaj të dy uniformat blu që gjendeshin dolën jashtë.
Në këto momente, pati një pakujdesi nga ana e prokurorit sepse ai doli për një çast jashtë në korridor dhe ky ishte momenti ideal i 28-vjeçarit për të rifituar vetë lirinë.
Ai ka rendur drejt një dritareje të zyrës dhe është hedhur edhe pse zyra ishte në katin e dytë të ndërtesës.
Me të rënë në tokë, 28-vjeçari ka vrapuar për në drejtim të paditur, raporton policia e Athinës përmes një komunikate zyrtare.
Mësohet se i riu ishte transferuar në zyrat e hetimit në Kolono, dje në orën 10.20, ndërsa mbahej në burgun e sigurisë së lartë në Koridhalo.
n.s/NOA