Sarajevë, 2 qershor, NOA – “Eshtë një fakt shumë pozitiv që Kosova përfaqësohet në këtë takim të nivelit të lartë të Sarajevës”, pohon në një intervistë për BBC zv/kryeministri Ilir Meta.
“Do të thosha që është sukses i veçantë i këtij takimi dhe absolutisht që Kosova është një realitet i ri, është një realitet i pakthyeshëm dhe Shqipëria e ka theksuar se mbështet jo vetëm Kosovën e pavarur, si kusht dhe garanci për stabilitetin e rajonit, por në mënyrë të veçantë mbështet progresin e një Kosove evropiane”, thotë ai.
Z. Meta, sa i rëndësishëm është takim i sotshëm i Sarajevës?
Është një përpjekje për t’u përshëndetur e Presidencës spanjolle, e vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të institucioneve të Unionit për të risjellë edhe një herë tjetër,në një kohë relativisht të vështirë dhe me shumë sfida dhe për vetë Bashkimin Europian, domosdoshmërinë për të kompletuar perspektivën Europiane të Ballkanit Perëndimor, pikërisht tani, dhjetë vjet pas Samitit të Zagrebit, i cili inicioi edhe vetë procesin e Stabilizim Asocimit dhe që më pas u ndoq nga vizioni që u shpalos në Samitin e Selanikut për Ballkanin Perëndimor.
Z. Ministër i Jashtëm, Shqipëria shënoi një hap përpara drejt integrimit evropian me propozimin që bëri Komisioni Europian javën e kaluar në drejtim të heqjes së vizave, megjithatë u lanë disa detyra, u lanë tre kushte, Shqipëria përsëri me kushte, ç’mendoni?
I gjithë procesi ka qenë i kushtëzuar. Pikërisht dy vjet më parë u shpall nga Franco Frattini, (atë kohë Zv/President dhe Komisioneri për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Europian), vullneti për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. I gjithë udhërrëfyesi është i përbërë nga kushte shumë të qarta, shumë teknike, konkrete, komplekse, të ndara në katër blloqe të cilat përbëjnë kolonën e këtij procesi dhe unë mund të them se tashmë ka mbetur fare pak, çka është vlerësuar edhe nga komisioneria Malmstrong, nga komisioneri Fuele dhe nga përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europian. Kjo është arsyeja që propozimi është pozitiv, sepse vetë Komisioni është i bindur nga vetë monitorimi i vazhdueshëm që i ka bërë procesit të përmbushjes se detyrimeve se Shqipëria i ka të gjitha aftësitë dhe kapacitetet për t’i përmbyllur me sukses edhe këto tre çështje në vazhdim.
Z. Ministër i Jashtëm, edhe këtu në takimin e nivelit të lartë në Sarajevë fokusi është integrimi i Ballkanit në Bashkimin Europian. Megjithatë vetë vendet e Ballkanit kanë shumë për të bërë për t’u integruar me njëri-tjetrin, p.sh. linjat e fluturimeve pothuajse nuk ekzistojnë në rajon, nga Tirana për të ardhur në Sarajevë ose duhet të shkosh përsëri në Evropë ose duhet të bësh një rrugë të gjatë me makinë, shumica e kryeqyteteve nuk lidhen fare me linja ajrore direkt. Çfarë mendoni?
Nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje pengese në disa raste, po është çështje fizibiliteti, leverdishmërie e bizneseve të caktuara, megjithatë pyetja juaj më përforcon edhe një herë tjetër dëshirën për të theksuar se integrimi nuk është një proces abstrakt, është një proces konkret sikurse është një aspekt i rëndësishëm heqja e vizave të cilin e ndiejnë të gjithë qytetarët në momentin që kjo lehtësi fitohet, po kështu është shumë konkret dhe shumë jetike që Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit të integrohen më mirë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm me njëri –tjetrin por edhe me vetë Bashkimin Europian, përmes rrjeteve trans-europiane të infrastrukturës, të transportit, të energjisë dhe në këtë drejtim mbeten ende jo pak për të bërë në rajonin tonë.
Z. Meta, këtu në Sarajevë Kosova është e përfaqësuar në nivelin e Ministrit të Jashtëm, ashtu si edhe vende të tjera të rajonit, megjithatë është e qartë se Kosova është më mbrapa proceseve integruese, qoftë edhe vetëm në aspektin e vizave, çfarë mendoni?
Të gjithë e dimë se Kosova përfaqëson një shtet të ri ende jo i njohur nga pesë vende të BE-së, megjithatë Kosova absolutisht është në një stad integrimi me vetë Bashkimin Europian dhe mendoj që vetë prezenca e EULEX-it në Kosovë është një kontribut pozitiv në këtë drejtim ashtu sikurse unë shpresoj që së afërmi edhe Kosova të ketë udhërrëfyesin e saj për liberalizimin e vizave dhe unë jam i bindur se ajo do ta fitojë këtë mundësi për qytetarët e saj, sepse vetë politika e Bashkimit Europian është e tillë që ky proces për liberalizimin e vizave të konsiderohet si proces teknik dhe në këtë drejtim besoj se do të ekzistojë mirëkuptimi i të gjithëve për të avancuar edhe me qytetarët e Kosovës në këtë drejtim.
Mendoj se është një fakt shumë pozitiv që Kosova përfaqësohet në këtë takim të nivelit të lartë të Sarajevës, do të thosha që është sukses i veçantë i këtij takimi dhe absolutisht që Kosova është një realitet i ri, është një realitet i pakthyeshëm dhe Shqipëria e ka theksuar se mbështet jo vetëm Kosovën e pavarur, si kusht dhe garanci për stabilitetin e rajonit, por në mënyrë të veçantë mbështet progresin e një Kosove europiane.
BBC