Japoni - Kan, Ministri I Financave Paraqet Kandidaturën Për Kryeministër
TOKIO, 2 qershor /ATSH-AFP/ - Ministri japonez i Financave, Naoto Kan, paraqiti sot kandidaturën për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Japonisë, PDJ, etapë e detyruar për t'u bërë kryeministër, pas dorëheqjes së Yukio Hatoyoma.
"Informova kryeministrin Yukio Hatoyama se kërkoj të jem kandidat për kryesinë e partisë", i deklaroi shtypit ministri i Financave.
PDJ-ja parashikon të zgjedhë të premten kryetarin e saj të ri, në vend të Hatoyama-s. Kryetari i partisë do të emërohet më tej në postin e kryeministrit pas miratimit nga parlamenti.
Hatoyama njoftoi sot dorëheqjen, i diskredituar nga administrimi për të ardhur keq i zhvendosjes së një baze ushtarake amerikane në ishullin Okinava.
"Naoto Kan është një bashkëpunëtor i afërt dhe natyrisht i kam thënë që të vazhdojë", deklaroi Hatoyama, i pyetur lidhur me kandidaturën e krahut të tij të djathtë.
Kan, 63 vjeç, mban aktualisht postin e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Financave, është një bashkëpunëtor i kryeministrit, por ka ditur të qëndrojë larg çështjeve të tij delikate.
Kandidatë të tjerë mund të paraqiten për kryesinë e partisë PDJ, ministri i Jashtëm, Katsuya Okada, 56 vjeç, si dhe ai i Transporteve, Seiji Maehara, 48 vjeç.
/I.Pu.