English

Kryeministri: Anglishtja, jo veç për masterin por dhe për 3-vjeçarin

Tiranë, 2 Qershor, NOA Update – “Anglishten do ta vija si gjuhë të detyrueshme jo vetëm për masterin, por edhe bachelorin (3-vjeçarin e shkollës së lartë), pasi është gjuha e teksteve, gjuha kryesore e komunikimit, gjuha e teknologjisë etj”.

Me këto fjalë kryeministri Berisha gjatë konferencës së mësuesisë, ka tentuar të shpjegojë rëndësinë e futjes intensive të anglishtes në shkolla dhe bërjen e saj të detyrueshme për diploma të veçanta, ndërsa theksoi me ngulm edhe rëndësinë e shkollës amerikane.

“Epërsia totale është në shkollën amerikane. Nuk është se ata kanë mësuesit më të mirë në botë, por kanë vendosur një sistem të duhur ndaj edhe funksionojnë”, e shpjegoi ai një fakt të tillë.

Më tej, ka shtuar se “20 vjet më parë ne ishim në rrethin e damkës sa i përket varfërisë dhe mjerimit. Ndërsa këto 20 vite, bashkarisht me lumenj sakrifice, jemi shkëputur nga kjo, por kemi ende punë për të bërë për të kapur orbitën e vendeve të zhvilluara, të cilat nuk rrinë në vend numëro për të na pritur ne, ndaj na duhet të vrapojmë”.

“Dhe rruga më e sigurt, është investimi në arsimi, ku rëndësi kapitale ka përgatitja e mësuesve, si edhe raporti i tyre me nxënësit”, shtoi kreu i qeverisë.

Duke përfunduar fjalën e tij se “arsimi përbën armën më të fuqishme të një kombi, përbën sekretin e të gjitha sekreteve të zhvillimit të tij ndaj është edhe e domosdoshme që këtë raport ta studiojmë dhe të përpiqemi ta kontraktojmë sipas tyre dhe ta zhvillojmë”.

n.e/NOA

KOMENTE