Tiranë, 2 Qershor, NOA – “Atyre që thonë se përse vizat po hiqen tani dhe jo më parë, u them se për tetë vjet me radhë nuk ishit në gjendje të prodhonit një kartë identiteti apo një pasaportë biometrike”.
Me këto fjalë kryeministri Berisha i është drejtuar opozitës gjatë mbledhjes së qeverisë, lidhur me pretendimet e saj se liberalizimi i vizave i cili po kthehet tashmë në një realitet, po ndodh por jo në kohën e duhur, pasi duhej të qe bërë kohë më parë.
“Muri që ngritët ju po mbyllte jo vetëm vizat, por edhe dyert për integrimin me Evropën dhe kjo është një e vërtetë e madhe”, tha ai lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar më pas mbi këtë argument se gjithsesi, “nuk mund të injorojmë as faktin se kur në vitet ’80 fqinjët tanë që tani lëvizin pa viza, lëviznin edhe atëherë lirshëm në Evropë, ndërsa ne rrethonim telat me gjemba”.
“E vërteta është se reformat tona kanë funksionuar dhe do të funksionojnë edhe më shumë”, tha Berisha.
Më tej, duke theksuar se “me heqjen e vizave realizohet një ëndërr e vjetër dhe më e bukura e shqiptarëve”, kreu i qeverisë tha se “sot ne mund të shohim drejt në sy çdo shqiptar, sepse ishin reformat e qeverisë ato që bënë realitet liberalizimin e vizave”.
Sipas Berishës, “heqja e vizave është rezultat i luftës me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit” dhe se “çdo shqiptar duhet të paraqesë mirënjohjen e tij ndaj kësaj lufte”.
n.e/NOA