Kukës: Forca Speciale Në Ndihmë Të Policisë, Për Kërkimin E 6 Vjeçares Së Zhdukur
KUKËS, 2 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Në ndihmë të Policisë që vazhdon kërkimet për Bleona Matën, vajzën 6-vjeçare nga Zapodi i Kukësit të zhdukur prej 12 ditësh, të mërkurën u nisën për në vendngjarje 50 forca speciale.
Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së qarkut, Odeta Popa, "së bashku me grupin e forcave speciale në vendngjarje ka shkuar edhe përgjegjësi i Sektorit të Krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Nikolin Bala".
"Me gjithë kërkimet intensive që po kryhen, ende nuk ka ndonjë gjurmë të vajzës 6 vjecare, ndonëse kërkimet janë shtrirë edhe në Kosovë e Maqedoni", bën të ditur Policia.
Policia e Shtetit ka akorduar edhe një shpërblim prej 3 milion lekësh për personin që do të japë informacion.
Në lidhje me këtë ngjarje, deri tani është ndaluar vetëm një person, por edhe ai për dëshmi të rreme e pengim të hetimeve./ch/